Super Meriton Korenica – djaloshi i artë i Prishtinës që me golat e tij po e mban klubin në garë për titull
Prishtina në verën e vitit të shkuar kishte arritur të nënshkruante me Meriton Korenicën, që ishte kapiten te Liria dhe pjesë e Kosovës U-21.
Në klubin më të madh në vend, pritshmëritë ishin të mëdha për djaloshin rahovecas.
Gol që në debutim kundër Europas së Gjibraltarit. Aty filloi historia e tij me fanellën bardhëekaltër.
Dhjetë gola deri më tani me Prishtinën, në të gjitha, garat (1 Liga e Evropës, 1 Kupë dhe 8 kampionat).
Ka kohë që një mesfushor i Prishtinës nuk i kishte arritur këto shifra.
Por ajo që ka rënë në sytë e futbolldashsëve është forma e mirë që po e kalon aktualisht lojtari.
Në dy ndeshjet e fundit shënoi katër herë, në çdo ndeshje nga dy.
Në fitoren kundër Flamurtarit e hapi dhe e mbylli ndeshjen, ku Prishtina fitoi 3-0.
Edhe në fundjavë kundër Ballkanit ai ishte ideator i fitores.
Dy gola, secili më i bukur se tjetër kishin bërë që Prishtina ta marr fitore, për ta shkrirë epërsinë e Feronikelit në tri pikë.
Korenica po e bën atë që është pritur dhe në momentin që po i duhet më se shumti Prishtinës, ai është kthyer në një lider të sulmit.
Mbetet të shihet me sa gola do ta mbyll sezonin, po aktualisht është ndër më të mirët./ Telegrafi/