Pesë emra për trajnerin e ri të Shqipërisë: Nga eksperti Reja te Hasin që e duan shqiptarët, por aty janë edhe emra si Donadoni, De Canio e De Biasi
Shqipëria ka një javë që është pa trajner, pas shkarkimit të Christian Panuccit.
Armand Duka ka hapur librin e shënimeve dhe po mendon për trajnerin e ri, ku në listë janë pesë emra.
Gjuha, ambienti, ekipi, koha, objektivat, financat dhe shumëçka tjetër si faktorë vihen në “peshore” nga kreu i FSHF-së, kur hap faqen për secilin kandidat.
Lajmet më të fundit bëjnë me dije se Edi Reja duket më i avantazhuar, për të mos thënë i përzgjedhuri.
Por janë edhe katër të tjerë, që po presin dhe pëlqehen.
Edi Reja
Është më i avantazhuari pas ftesës që kishte në Shkodër kur erdhi ta shikojë ndeshjen me Turqinë, për kohën që kishte kërkuar ndaj FSHF-së për të vendosur dhe për bisedimet me Dukën.
Eksperienca e madhe, fakti që ka drejtuar në të gjitha kategoritë dhe filozofia italiane e lojës, janë sigurisht plus në CV-në e tij në ballafaqimin e me të tjerë kandidatë.
Luigi De Canio
Mes të preferuarve të Armand Dukës, edhe në periudhën kur po kërkohej pasardhësi i Gianni de Biasit është Luigi De Canio mund të jetë gjithashtu kandidat bindës edhe këtë herë.
Trajneri i Ternanas, ka eksperiencë me disa klube në Itali.
Gianni de Biasi
I preferuari i tifozëve shqiptarë, mund të rikthehet të jetë një emër i nxehtë në listën e kandidatëve.
Duke e krahasuar me të gjithë të tjerët, De Biasi ka avantazhin e madh pasi e njeh ekipin dhe mund të jetë gati ta drejtojë menjëherë Shqipërinë.
Besnik Hasi
I pari emër që i vjen në mendje gjithkujt kur bëhet fjalë për një trajner shqiptar në krye të Kombëtares.
47- vjeçari ka gjithashtu një sërë faktorësh në avantazh. Njeh gjuhën, mentalitetin dhe ambientin në Kombëtare, për vetë të shkuarën si pjesë e saj apo edhe si kapiten i kuqezinjve.
Gjithashtu ka një karrierë pozitive si trajner, duke fituar titullin me Anderlechtin.
Një trajner i disiplinuar dhe me eksperiencë të mjaftueshme për të marrë në drejtim një Kombëtare, aq më tepër atë të vendit të tij.
Roberto Donadoni
Një emër i madh në Itali dhe me filozofinë e duhur, i cili ka drejtuar shumë por pa pasur ndonjë arritje të madhe.
Drejtimi i Italisë është një arritje e madhe në karrierën e tij dhe e mbush mjaftueshëm CV-në për Shqipërinë. /Panorama Sport/