fbpx
Pas ndeshjes Gjilani – Prishtina, në mesnatë Hasani u takua me gjyqtarin në veturë

Pas ndeshjes Gjilani – Prishtina, në mesnatë Hasani u takua me gjyqtarin në veturë

  12 Jul 2020

Javët e fundit në elitën e futbollit tonë nuk kanë qenë fare të qeta. Akuza, incidente, sharje e deri në arrestime, gjëra të cilat kanë shëmtuar fundin e kampionatit. Gara e fortë për titull ka bërë që presioni ndaj gjyqtarëve të rritet, kjo edhe për shkak të disa gabimeve të tyre, gjithnjë sipas klubeve.

Derbi i xhiros së 29-të ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës që u zhvillua në mesjavë e kaluar, përfundoi me një incident të madh dhe rezultati u zhvendos në plan të dytë. Gjilani e fitoi derbin me rezultat 2:1, me një futbollist më shumë pasi portieri i Prishtinës, Visar Bekaj u përjashtua me karton të kuq nga gjyqtari kryesor i ndeshjes Kreshnik Vula.

Insporti ka siguruar një fotografi të shefit të gjyqtarëve, Përparim Hasanit dhe gjyqtarit anësor, Edmond Zeqirit. Ndonëse ata duhet të kenë raporte dhe takime zyrtare, i këtij soji nuk duket takimi i mesnatës ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes pas derbit Gjilani – Prishtina.

Takmi i mesnatës ka ndodhur pas ndeshjes Gjilani – Prishtina rreth orës 00:00, në veturën e Zeqirit të markës “Golf 7”.

Insporti ka tentuar të kontaktojë me gjyqtarin Zeqiri por që ka qenë i pa qasshëm.

Gjyqtarë në atë derbi ishin Kreshnik Vula, Edmond Zeqiri, Fatmir Sekiraqa dhe gjyqtar i katërt, Tefik Maloku.

Kjo katërshe për xhiron e 30-të nuk janë deleguar në asnjë ndeshje.

Përjashtimi i Bekës, bëri që pas ndeshjes trajneri i kryeqytetasve Armend Dallku dhe ndihmësit e tij të kërkojnë sqarime nga gjyqtarët e ndeshjes, por në vend të sqarimeve ata u spërkaten me sprej nga Policia e Kosovës duke përfunduar në spital.

Po ashtu, pas ndeshjes mesfushori Lorik Boshnjaku ishte dërguar me urgjencë në spital pasi sipas faqes zyrtare të Prishtinës, kishte prerë dorën.

Pas ndeshjes, zëdhënësi i Prishtinës, Avni Durmishi për “Sportin në KTV” ka deklaruar se gjyqtari anësor, Fatmir Sekiraqa, është korruptuar nga Drita.

Sipas tij, Drita është 100% e përfshirë në atë që ndodhi.“Fatmir Sekiraqa është gjyqtar i njohur për ne që nga ndeshja me Dritën në Pejë para dy vitesh. Edhe atëherë ka marrë para, edhe sot ka marrë para. Ndoshta Gjilani është i pafajshëm, por Drita është e përfshirë 100%”.“Lotësjellësi i policisë është i paparë. Prishtina në vitin 1990 e ka përjetuar atë brutalitet me Proleterin. Askush nuk i ka sulmuar gjyqtarët fizikisht, verbalisht po, por fizikisht s’ka pasur kurrfarë tentimi”.

Vlen të theksojmë se në xhiron e 29-të edhe pse ishin tre derbi, gjyqtarët me stemen e FIFA-s, Genc Nuza dhe Besfort Kasumi nuk ishin deleguar në asnjë ndeshje.

Prishtina sot zhvillon derbin e radhës kundër Dritës, në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim të orës 18:00.

Gjyqtarë për këtë derbi do të jenë Dardan Qaka, Fatlum Berisha, Bujar Selimaj dhe gjqytar i katërt Vigan Ibërdemaj.

“Bardhekaltrit” renditet në pozitën e katërt me 57 pikë, ndërsa Drita në vendin e parë me 64 pikë