Interi pa tifo grupin e famshëm ndaj Milanit, ja arsyetimi
Tifogrupi ultras i Interit, Curva Nord, nuk do të prezantojë asnjë lloj koreografie të veçantë në shkallët e “San Siro”-s, me rastin e derbit ndaj Milanit, të dielën në mbrëmje.
Njoftimin e kanë dhënë vetë drejtuesit e grupimit ultras, nëpërmjet rrjeteve sociale, ku kanë shpjeguar edhe arsyen pse kanë vendosur të mos shfaqin asnjë koreografi mbrëmjen e të dielës.
“Asnjë koregografi të dielën në mbrëmje për derbin, duke marrë shkas nga vendimi i Gos (Grupi Operativ i Sigurisë). Ajo që ne kemi përgatitur me gjithë zemër, për të kujtuar Dede-në tonë (një leckë me fytyrën e Dede dhe flamurin e djemve të Vareses), nuk kanë dritën e gjelbër nga GOS. Për ne kjo ishte koreografia më e rëndësishme. Ne vetëm ndjejmë keqardhje, pasi është mundësi e humbur e njëpasnjëshme, nga ana e kujdestarëve të sigurisë, për të treguar një anë njerëzore që nuk ekziston këto kohë”, përfundojnë tifozët e Interit.
Dede është Daniele Belardinelli, tifoz zikaltër i tifogrupit nga Varese, i cili u vra gjatë përleshjes mes tifozërisë së Interit dhe asaj të Napolit, në fillim të vitit në Milano. Hera e fundit që tifozëria zikaltër nuk shpaloste asnjë koreografi në derbi, ishte më 22 Dhjetor të vitit 2013, ku u solidarizuan me tifozërinë e Milanit, të cilës GOS i pezulloi koreografinë e përgatitur.