Barcelona po shkëlqen këtë fillim sezoni, zbulohet sekreti i katalanasve

Gerard Pique dhe Leo Messi kanë lindur në vitin 1987, Busquets në vitin 1988, Jordi Alba në vitin 1989 dhe Roberto në vitin 1992. Pa harruar edhe Ansu Fati, i cili ka lindur në vitin 2002. Këta ishin lojtarët e akademisë së Barcelonës, të cilët e nisin ndeshjen nga minuta e parë kundër Celta Vigos. Ndoshta asnjëri prej tyre nuk e kujton trajnerin kur luante me fanellën katalanase, por ajo predhë në “Wembli” është e paharrueshme. Është e përjetshme. I tillë do të jetë Koeman për Barcelonën.

Koeman është trajneri i parë që prej shumë kohësh që e pranon se situata ekonomike në klub nuk është aspak pozitive. Koeman është trajneri i parë që nuk i intereson shumë që Leo Messi është lojtari më i mirë i historisë së klubit. “Mesi duhet që të shoqërojë pjesën tjetër të skuadrës dhe evolucionin e Barcelonës. Koeman është trajneri i parë që rikthen iluzionin dhe ëndrrat e bukura të tifozëve të Barcelonës. Nuk do vetëm t’i fitojë ndeshjet, por edhe t’i dominojë ato. Nuk do thjesht të shënojë, por të mos pësojë. Nuk do thjesht të bëjë detyrën, por do që tifozët të emocionohen nga skuadra e tij. Koeman është simboli i Barcelonës dhe me këtë është shumë i lumtur për momentin.

REVOLUCIONI- Që në momentin kur u bind për të drejtuar Barcelonën vendosi rregullin e parë. “Messi do të ketë hapësirën dhe rolin e tij të rëndësishëm në rritjen e skuadrës”, tha më 24 gusht, edhe pse e dinte që argjentinasi do të kërkonte largimin. Por, Koeman i kishte të dyja anët e medaljes. Nëse do të largohej do të ishte keq për të sepse do të humbte lojtarin më të mirë të klubit, por nga ana tjetër do të kishte dorë të lirë në revolucionin e Barcelonës. Duke ardhur në këtë pikë, Leos iu larguan dy “truprojat” Luis Suarez dhe Arturo Vidal. Por “Pleshti” u detyrua që të besonte dhe të qëndronte. Qëndruan Alba, Busquets dhe Pique. Por Koeman ka ditur të integrojë në skuadër një lojtar të rëndësishëm si Coutinho dhe t’i japë shkëndija një talenti si Ansu Fati. Gjithçka në bazë të respektit dhe të normave. “Gjenerali” ka vënë rregulla.

TAKTIKISHT- Barcelona ka fituar 2 ndeshjet e para në kampionatin spanjoll me 7 gola të shënuar dhe 0 gola të pësuar. Katalanasit ditën të luanin edhe me 10 lojtarë me skemën 4-4-1, ku i rëndësishëm nuk është pozicionimi i futbollistëve, por dëshira e tyre për të dhënë gjithçka në fushë. Koeman ka rikuperuar kulturën e sforcos, të cilën Barcelona e kishte humbur prej kohësh. Barça është rikthyer të jetë skuadër. Koeman erdhi me dyshime, por deri tani i ka bërë gjërat siç duhet dhe lideri i Barcelonës është ai.