Arnold tregon si nuk ia la Shaqirit kornerit dhe e asistoi golin e kualifikimit në finale
Trent Alexander-Arnold u bë heroi i Liverpoolit mbrëmë kundër Barcelonës, kur u tregua shumë i mençur në ekzekutimin e një korneri. Topi që ai e nisi nga këndi i fushës përfundoi në rrjetën e Barcelonës dhe ky ishte goli që ia siguroi anglezëve një vend në finale.
As Divock Origi nuk kishte qenë plotësisht i vetëdijshëm për mënyrën se si Trent Alexander-Arnold e ekzekutoi kornerin. Ai nuk e kishte parë topin deri në momentin kur i kishte ardhur më afër tij
Mbrojtësi anësor i Liverpoolit e bëri asistin e dytë të ndeshjes mbrëmë, kur në minutën e 79-të e ekzekutoi në mënyrë të përsosur një korner, që i zuri të papërgatitur të gjithë lojtarët e Barcelonës.
Fillimisht, Arnoldi u përgatit që t’ia linte detyrën e harkimit të topit Xherdan Shaqirit. Por, gjatë kohës kur ai po e lëshonte atë vend, e pa që Origi ishte në qendër të zonës së portierit dhe ia pasoi shpejt topin atij. Origi arriti ta shënojë golin e tij të dytë për këtë ndeshje.
Askush nuk e kishte vërejtur këtë lëvizje të Arnoldit. Lojtarët e Barcelonës nuk po e mbronin ende Origin dhe topi e preku rrjetën e brendshme para se portieri Marc-Andre ter Stegen të kishte mundësi ta kuptonte çfarë po ndodhte.
Në intervistën pas ndeshjes, Alexander-Arnold e sqaroi këtë asist të tij dhe tha se veprimi i tij kishte qenë instinktiv.
“Sinqerisht, mendoj se ishte thjesht instinktive. Ishte thjesht një prej atyre momenteve ku ti e shoh një mundësi”, u shpreh Arnold.
“Topi ndoshta i shkoi Origit me më shumë shpejtësi sesa që mendohej, por ai është një lojtar i nivelit më të lartë dhe ai i shënoi dy gola për ne sonte. Është një moment që do të mbahet mend nga të gjithë”.
Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.
Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.
Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.
Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi po fiton me rezultat 1:0 dhe ndeshjen e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi.
(Kosova Sot Online)