Vetëvendosja ka frikë nga Haradinaj. Heq dorë nga metodat e dhunshme
Kështu thonë analistët, Imer Mushkolaj e Albert Krasniqi. Sipas tyre, përpos frikës së Vetëvendosjes nga Ramush Haradinaj, Partia e Kurtit është larguar nga dhuna edhe për t’u dukur parti normale pas triumfit në zgjedhjet e fundit.
Lideri shpirtëror i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dy ditë pas zgjedhjeve nacionale, e kishte paralajmëruar ndryshimin e madh të partisë që e themeloi. Kishte deklaruar se nuk do të ketë dhunë e as hakmarrje politike ndaj kundërshtarëve. Në Rubikon të KTV’së, kishte paralajmëruar se nuk do t’i çojë në burg as Thaçin dhe as Veselin. Madje, kishte thënë se fjalimet e ashpra ndaj kundërshtave kishin pasur për qëllim mobilizimin e masave.
Gjithë ky paralajmërim i Albin Kurtit është duke u aplikuar në praktikë nga anëtarët dhe deputetët e Vetëvendosjes.
Madje, shumica e deputetëve të Vetëvendosjes nuk votuan për shkarkimin e Ministrit Nenad Rikallo, ndaj të cilit ka pasur pretendime se ka bërë maltretuar shqiptarët gjatë kohës së luftës në Prishtinë.
Dy analistë, Imer Mushkolaj e Ardian Krasniqin e shohin në dy rrafshe transforimin e Vetëvendosjes.
E para, me atë se Vetëvendosje s’ka guxim të sulmojë Qeverinë e re të Ramush Haradinaj pasi mund të ketë kundër reagime. Dhe, e dyta, për shkak se po tentojnë të paraqiten para elektoratit paqësor.
“Vetëvendosje as nuk do ta gjuaj me vezë Haradinajn e as nuk do t’ia gjuaj shtëpinë me mollotov atij”, ka thënë Mushkolaj, të shtunën.
Albert Krasniqi i ndërlidh reagimet e Vetëvendosjes me emrat e përveçëm të Kryeministrave.
Sipas tij, koha kur sulmohej Kryeministri Isa Mustafa dhe shtëpia e tij private ka kaluar.
Thotë se Partia e Kurtit s’ka pasur guxim të ketë sjellje të dhunshme ndaj Thaçit dhe nuk do të ketë as ndaj Haradinajt.
“Reagimet e ashpra të VV’së nuk shkojnë aty ku e kanë më vështirë, e aty ku ka kundër reagim më të fortë”.
Butësia e Vetëvendosjes nga analisti Mushkolaj dhe përfaqësuesi i KDI’së shihet edhe si strategji për të fituar votën e qytetarëve, të cilëve u pengojnë veprimet radikale dhe dhuna që Lëvizja ka përdorur në disa raste.
“Jemi para zgjedhjeve lokale. E kane kuptu që cdo veprim radikal mund të veproj te njëerëzit e ri, që nuk janë aktivistët e tyre”, ka thënë Mushkolaj.
Edhe sipas Krasniqit, Vetëvendosje po i jep rëndësi zgjedhjeve lokale dhe ruajtjes së votës së marrë në zgjedhjet nacionale nëpërmes taktizimeve të shumta, e ndër to edhe sjellja më e butë.
Pavarësisht sjelljeve jo të dhunshme të shumicës së deputetëve të VV’së, Frashër Krasniqi para disa ditësh grushtoi Milaim Zekën.
Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje fillimisht ishte organizatë joqeveritare, ku bënte thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve. Lëshonte akuza ndaj të gjithë politikanëve të Kosovës, duke i quajtur të korruptuar e të shantazhuar.
Por, më 2009, Partia e Albin Kurtit vendosi të hyjë në garë zgjedhore për të marrë pushtetin. Prej atëherë kanë përdorur metoda të dhunshme për të ardhur në krye të Qeverisë. Kanë organizuar protesta e sulme ndaj shtëpive private të liderëve. Madje, disa prej anëtarëve të Vetëvendosjes akuzohen nga Prokuroria se kanë përdorë edhe armë kundër Parlamentit.