fbpx
Protestat kundër Qeverisë Kurti, profesori ‘zbulon’ prapaskenat: Kanë për skenar t’i degradojnë këto figura të larta shtetërore

Protestat kundër Qeverisë Kurti, profesori ‘zbulon’ prapaskenat: Kanë për skenar t’i degradojnë këto figura të larta shtetërore

  08 Jun 2021

Mehazi: Koalicioni kundër Qeverisë së Kurtit fillon nga pika konfliktuoze fillestare, Faik Fazliu, vazhdon me OVL UÇK-në e mbaron me PDK-në e AAK-në

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dje ka mbajtur mbledhje pas arrestimit dhe lirimit të veteranit Faik Fazliu. Kjo organizatë përmes një komunikate për media ka thënë se institucionet e Kosovës kanë dalë jashtë vlerave kombëtare.

OVL e UÇK-së gjithashtu ka njoftuar se më 12 qershor do të mbahet protestë, ndërsa është thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministrat Donika Gërvalla e Xhelal Sveçla po e akuzojnë UÇK-në.

Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot”, ka folur analisti politik.

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se reagimet e veteranëve të UÇK-së vijnë për shkak incidentit të fundit me ish-kreun e OVL UÇK-së.

Por, ai veprimet e fundit të Fazliut nuk i arsyeton dhe shprehet se përkundër meritave ishin tejet të gabueshme sjelljet në rastin e fundit

“Dihet se reagimet e veteranëve të UÇK-së vijnë për shkak incidentit të ish-kryetarit të OVL UÇK-së, Faik Fazliut, me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, gjithë kjo zhurmë e pakëndshme e ish-ushtarëve të UÇK-se është shkak për të protestuar kundër Qeverisë së Kurtit e veçanërisht kundër ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla. Edhe pse kemi qytetarët kanë respekt të madh e përkulen para Faik Fazliut i cili për të çliruar Kosovën humbi një pjesë të gjymtyrës se tij, por në anën tjetër veprimet e tij ndaj policisë së Kosovës nuk arsyetohen, pasi vetë Fazliu sakrifikoi për këtë polici të Kosovës”, ka thënë profesor Mehazi.

Tutje, Mehazi është shprehur kanë për qëllim vetëm për të bërë luftë politike speciale kundër ekzekutivit dhe të degradojnë kryeministrin aktual dhe ministrin e punëve të brendshme.

“Zënie verbale e Faik Fazliut me policinë e Kosovës e ka kuptimin e një farë revolte të Fazliut ndaj policisë së Kurtit dhe e bërë qëllimisht për të reaguar jo vetëm veteranët e UÇK-së, por edhe për të nxitur edhe partitë opozitare kundër qeverisë së Kurtit dhe ministrit Xhelal Sveçla. Shihet hapur se qëllimi i protestave të ish-ushtarëve të UÇK-së është vetëm për të bërë luftë politike speciale kundër qeverisë, vetëm për ta degraduar Albin Kurtin e Xhelal Sveçlën”, u shpreh ai.

Kurse, krejt në fund, profesori i njohur nënvizon se e gjithë pika konfliktuoze fillon me Fazliun e mbaron me dy partitë opozitare.

“Koalicioni kundër Qeverisë së Kurtit fillon nga pika konfliktuoze fillestare, Faik Fazliu, vazhdon me OVL UÇK-në, dhe mbaron me partitë opozitare PDK-së e AAK-së”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.