
Fakte te reja mbi rastin Lushtaku-Blerim Dina
Organizata jo-qeveritare “Demokraci Plus” ka reaguar ndaj kërcënimit të shefit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Blerim Dina. “D+” ka thënë se kërcënimi ndaj Dinës paraqet një parregullsi tjetër në OSHP, teksa ka kërkuar nga Kuvendi Kosovës që të emërojë dy zyrtarë të tjerë në këtë institucion.
Përmes një njoftimi për media, “D+” ka thënë se me këtë rast D+ Kuvendi i Kosovës duhet që sa më shpejtë të bëjë emërimin e dy zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni. Kjo pasi që dy pozita në bordin e OSHP-së janë vakante, që nga ngritja e aktakuzës për dy anëtarët e bordit, Ekrem Salihu dhe Tefik Sylejmani.
Dina u kërcënua dje nga dy persona, njëri prej të cilëve, siç pretendon shefi i OSHP-së, është kushëriri i ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku.
Demokraci Plus (D+) dënon ushtrimin e presionit ndaj kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) z. Blerim Dina. D+ kërkon nga institucionet e drejtësisë që me prioritet të adresojnë këtë rast dhe të marrin masat përkatëse për të siguruar që bordi i OSHP-së nuk i nënshtrohet presioneve të asnjë grupi politik apo biznesor”, thuhet në njoftimin e “D+”.
Ky rast ka shpërfaqur se sa e rrezikshme është situata në të cilën vendimmarrja varet prej një grupi të vogël njerëzish, siç është aktualisht rasti me OSHP-në ku vetëm tre anëtarë të këtij institucioni vendosin për miliona euro të buxhetit publik, njofton “Demokraci Plus”.
D+ thekson nevojën për reformë ligjore në fushën e gjykimit të tenderëve apo sistemit të korrigjimit në prokurim publik. Aktualisht me Ligjin e Prokurimit Publik është paraparë që OSHP të ketë pesë (5) anëtarë të cilët në përbërje prej 1, 3 ose 5 anëtarë gjykojnë rastet e prokurimit. Në raste të mungesave ky numër mund të jetë edhe më i vogël.
Sidoqoftë, në vazhdimësi integriteti i këtij institucioni është vënë në pikëpyetje si pasojë e ngritjes së aktakuzave për anëtarët e bordit të këtij institucioni apo shërbyesit civil brenda tij. Për këtë arsye është me rëndësi që të ndërtohet një sistem ligjor i cili e shpërndanë vendimmarrjen në raste të tilla tek më shumë individë, të cilët vijnë nga sektorë të ndryshëm.
Po ashtu, D+ insiston në rritjen e transparencës së OSHP-së, pasi që aktualisht është një organ shumë i mbyllur dhe vendimet aty në shumë raste janë në kundërshtim me praktikat e saja juridike dhe vendimmarrjen në rastet paraprake.