Është arrestuar një e dyshuar për keqpërdorim
të detyrës zyrtare.
Zyrtarja në fjalë lëshonte vërtetime të
pagesave të tatimit në pronë personave që ishin të liruar nga kjo pagesë.
Arrestimi u bë nga Policia e Kosovës
konkretisht Njësiti Rajonal i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në
Prishtinë.
Policia e Kosovës ka bërë hetimet relevante
pas pranimit të informatës për
keqpërdorime dhe shkelje ligjore në komunën e Prishtinës.
Dyshimet ishin mbi një të dyshuar e cila
punonte në sektorin e pagesave të tatimit në pronë.
“Pas hetimeve disa javore, hetuesit e
NJRHKEK-së, kanë ardhur në përfundim se e dyshuara N. D., (1980), me qëllim të
përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka keqpërdorur pozitën e saj dhe nga
muaji mars deri në tetor 2019, ka lëshuar vërtetime të pagesave të tatimit në
pronë pa dëshminë se personat në fjalë janë të liruar nga kjo taksë prej 10
euro – vërtetime për regjistrimin e automjeteve”, thuhet në njoftimin e
Policisë së Kosovës.
Në konsultim me prokurorin kujdestar të
Prokurorisë Themelore në Prishtinë e dyshuara është dërguar në mbajtje prej 48
orë./Gazeta inFokus/