Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj në interpelancë me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, lidhur me dyshimet për keqtrajtim të disa qytetarëve nga ana e ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo në vitin 1999, ka kërkuar nga organet e rendit që të zbardhin të vërtetën.
Zema, para deputetëve ka thënë se ky grup i qytetarëve që ishin banorë të lagjës “Dardania” në Prishtinë, të cilët dyshohet të jenë rrahur nga ministri Rikallo, janë nga rajoni i Dukagjinit dhe tani anëtarë të AAK-së.
“Studentë të cilët janë rrahur nga Rikallo janë nga rajoni i Dukagjinit dhe janë anëtarë të Alenacës Për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Deputeti Zemaj, ka deklaruar se kërkesa e partisë së tij është shkarkimi i ministrit Rikallo deri sa drejtësia ta zbardhë të vërtetën lidhur me rastin, por një gjë të tillë, ky deputet LDK-së veçon se Qeveria Haradinaj nuk po arrin ta bëjë shkaku i varësisë së saj nga Lista Serbe.
“Gjithçka çfarë kërkon LDK-ja është që ta shkarkoni këtë ministër, por siç shihet kjo qeveri nuk është me duar të pastërta dhe nuk mund ta bëjë një gjë të tillë”, është shprehur Zemaj.