”Zbulohet se kush është ‘’sherri’’ i PDK-së dhe pse humbi në këto zgjedhje, Arbana zëvendëson Albulenën e LVV
Kimete Berisha ka bërë një status në lidhje me humbjen e PDK-së në ketë zgjedhje.
Lexoni reagimin e saj:
PDK ia sheh sherrin dashurisë.
Kur e pyeta popullin e Prishtinës, pse nuk e keni votuar Lirak Çelajn për kryetar tuajin, e mora vetëm një përgjegje:
1. ‘Thjesht, për shkak se e ka lënë familjen e tij. Një njeri që e prishë rehatinë e familjes së tij, nuk mund ta mbajë të bashkuar qytetin e tij’-më thanë ata.
Në mesin e popullit bile dikush u tall e më tha ‘Si duket PDK e ka kriter kryesor që kandidatët për kryetar Prishtine t’i zgjedh persona që e kanë lënë familjen e tyre të parë, për një grua të re, si Agim Çeku, për shembull!
Pra, Lirak Çelaj ka dështuar në ‘Misionin e Ri’ për shkak të dashurisë së tij ‘të Re’. Dhe, a ka gjë më absurde, por edhe misterioze se sa t’ia shohësh sherrin dashurisë!
Çka tregon kjo?
Kjo tregon se ne jemi popull me mentalitet dhe kemi bindje fikse.
Kjo tregon se ne nuk e përbuzim jetën e dyfishtë (pra njeriun e martuar që tinëz shkon me tjera apo gruan e martuar, që larg qoftë, shkon me tjerë), por ne e përbuzim njeriun që del nga rrethi vicioz, dhe nga mentaliteti ynë.
Në anën tjetër, vishemi si evropian, nuk vërehet me sy të lirë primitivizmi ynë, dhe kjo na bën neve subjekt për analizë.
Njëfarë Maximilianit të Romës (n’vakt t’vetin, në vitin 238) nuk i kish shkuar gjatë puna e politikës, se ia kish parë sherrin shtresës së ulët nga e cila vinte ai. E përbuzën i madh e i vogël kur e zbuluan se si i shkreti si djalë i ri i kish pas ruajt dhentë në Thraki (ky fakt e përulte shumë në sytë e popullit dhe nuk ia falën punën e çobanit), edhe shkaku se i kish dalë zëri si gjakpirës pa ndjeshmëri, nuk e duruan gjatë, e vranë.
Mentaliteti ndryshon nga populli në popull. Dikush e përbuzë mizorinë, dikush e përbuzë njeriun e paditur (si LDK-ja, për shembull. Jo rastësisht, në PDK nuk gjen asnjë poet as për ilaç), dikush si romakët e lashtë njeriun që i ka ru dhentë e pretendonte ta udhëheqte popullin, e ne e përbuzim ‘njeriun që e braktis familjen, e lë gruan e vjetër për një grua të re’, dhe po ashtu shqiptarët e përbuzin atë grua në politikë e cila ‘nuk ka fëmijë’.
Paradoksi është se nga ky popull përbuzës ka dalë Nëna e krejt fëmijëve të botës, Tereza e shenjtë, anipse ajo vet nuk kishte lindur fëmijë.
M’u kanë pas këputur këmbët kur e pata lexuar reagimin publik të gruas së Sylejman Selimit, kur e ka pas akuzuar ish presidenten Jahjaga për pandjeshmëri, shkaku se nuk ka fëmijë.
E kemi dëgjuar një akuzë të tillë edhe nga kundërshtarja e Theresa May, po shihet dashuria botërore duke shkuar teposhzës, e po shihet se gati askund në botë s’ka mjaftueshëm njerëz të mirë, po, ama dyfytyrësia jonë është e pashoqe.
Sikur të ndodhte te ne si në Francë që ka ndodhur, ku presidenti e ka gruan gati 30 vite më të vjetër se vetja, shqiptarët kishin thurë legjenda ‘ku me ditë çka i ka ba…i ka ba sehire, garant’.
Është interesant se neve nuk na pengon dyfytyrësia. Për shembull, Arbana Xharra shfrytëzohet nga PDK si figurë antiislame (besoj se Arbana nuk është e tillë, e ka dëshmuar me dasmën e saj të madhe për synetinë e djemëve rë saj), ndërsa në anën tjetër, PDK nënshkruan në Prizren lejen për ndërtimin e xhamisë së re në kalanë e Prizrenit të vjetër.
Dhe e quan Prizrenin, Jerusalem të PDK-së, pa e sqaruar se a kanë fjalën për Jerusalemn e Palestinës apo për Jerusalemin e Izraelit.
Kadri Veseli nuk ka lexuar mjaftueshëm për biografitë e atyre që pretenduan ta ‘marrin në dorë’, për ta ditur se njerēzit nuk janë budallenj, shohin, lexojnë, dinë, marrin vesh, prandaj po ndodh kjo rënie e madhe e PDK-së, pas shkuarjes nga partia e presidentit Thaçi.
Thaçi nuk e nënçmonte popullin e tij, si Kadri Veseli, nuk kujtonte (së paku nuk shfaqej i tillë), se mund t’i mashtronte shqiptarët me fjalë.
Prandaj, krejt çka i ka mbetur tani PDK-së është një hu në krahë (i cili nuk u bën punë, sepse s’ka shqiptar që nuk e ka në krahun e tij një hu’, dhe po, u ka mbetur t’i shfrytëzojnë armët shkarant që i ka hudhur Vetëvendosja.
Arbana e ka zëvendësuar Albulenën me vrazhdësi, ndërsa Albulena ka filluar të bëhet e urtë dhe e matur, bashkë me Vetëvendosjen.
Në luftën e PDK kundër VV, gjithmonë fiton LDK.
Dhe ky nuk është lajm i keq. LDK (tani për tani) është e vetmja parti që nuk na tremb.