Zbulohen tensionet, Thaçi e Veseli e sulmuan Haradinajn në takim me zyrtarin amerikan

Zbulohen tensionet, Thaçi e Veseli e sulmuan Haradinajn në takim me zyrtarin amerikan

  09 Mar 2019

Sulmet ndaj Haradinajt i ka filluar Thaçi, duke thënë që taksa e Haradinajt po e bllokon dialogunHaradinaj në këtë takim, ia ka konfirmuar Hale qëndrimin e mëhershëm të tij që taksa nuk do të hiqet
Takimi i treshës më të rëndësishme në vend, Thaçi, Veseli dhe Haradinaj, me përfaqësuesin e lartë amerikan, David Hale, ka kaluar në një atmosferë të tensionuar. Dy miqtë, Thaçi dhe Veseli, në mënyrë të organizuar e kanë sulmuar Haradinajn në takim me diplomatin e lartë amerikan.

Është vështirë të kalojë një ditë që udhëheqësit e shtetit ta kalojnë në paqe me njëri tjetrin. As e shtuna nuk kishte pse ta prishte këtë traditë të shëmtuar. Madje kjo ishte edhe më e vecantë, Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli në takimin që sot e kishin me nënsekretarin e shtetit amerikan, David Hale, nuk janë kursyer me sulme direkte ndaj kryeministrit Haradinaj, i cili ishte gjithashtu prezent në takim.

Express ka kuptuar që në takimin e sotshëm në mëngjes, me zyrtarin e lartë amerikan, sulmet ndaj Haradinajt i ka filluar Presidenti Thaçi, duke thënë, në mes tjerash, që taksa e Haradinajt po e bllokon dialogun, por jo edhe mallrat serbe, të cilat sipas Thacit po futën kontrabandë në Kosovë.

Haradinaj në këtë takim, ia ka konfirmuar Hale qëndrimin e mëhershëm të tij që taksa nuk do të hiqet, për sa kohë ai është kryeministër dhe për sa kohë Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Qëndrimet e diplomatit të lartë amerikan, në këtë takim, mësohet që kanë qënë shumë të matura. Aty nuk është përdorur, nga ai, ndonjë gjuhë agresive, sic ka qënë rasti në vizitën e para disa ditëve të dy ish zyrtarëve amerikanë të Këshillit për Siguri Kombëtare.

Befasues në këtë takim të sotshëm thuhet të këtë qenë qëndrimi jashtëzakonisht i ashpër i Veselit ndaj Haradinajt. Mësohet që Veseli e ka akuzuar Haradinajn se po bën fushatë zgjedhore me taksën. Nga ana e tij Haradinaj, sipas burimeve i ka thënë diplomatit amerikan se në këto takime të përbashkëta ai po merr pjesë në shenjë të respektit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e jo për t’u ulur së bashku me dy udhëheqësit e tjerë të Kosovës.

Kjo duket të jetë pika më e ulët e raporteve në mes të Thaçit dhe Veselit në njërën anë dhe Haradinajt në anën tjetër.

Tashmë nuk ka asnjë dyshim që dyshja Veseli – Thaçi janë të koordinuar jashtëzakonisht mirë për t’u marrë me Haradinajn, si brenda edhe jashtë Kosovës. Është e pamundur të imagjinohet se si do të reflektohen këto qëndrime në zhvillimet e brendshme politike në vendin tonë. Thaçi dhe Veseli ose do të duhet ta kapërdijnë kokëfortësinë e Haradinajt lidhur me taksën, ose të provojnë rrëzimin e tij për ta çuar vendin në zgjedhje, ose një riformatim të qeverisë.

Gjatë fillimit të javës që po futemi në vendin tonë do të vijnë për një vizitë edhe dy këshilltarë për politikë të jashtme të Angela Merkelit, kurse fill pas tyre në Prishtinë do të qëndrojë edhe drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar. Nëse as gjatë kësaj jave gjërat nuk qartësohen atëherë ka mundësi që Kosova do të zhytet në një krizë të thellë të brendshme.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.