fbpx

Xharra e zbulon se kur Demarkacioni dërgohet në Kuvend

  05 Dec 2017

Qeveria e Kosovës ka miratuar të hënën marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, por ende nuk është bërë e ditur se kur do të procedohet fillimisht në komisionet përkatëse të Kuvendit, e më pas edhe në seancë, për diskutim e më pas edhe për votim nga deputetët.

Mirëpo, indirekt këtë e ka zbuluar Arbana Xharra, këshilltare e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, shkruan gazetametro.net.

Ajo në një debat me këtë temë në TV Dukagjini ka thënë se “javën tjetër Demarkacioni vjen në Kuvend, por çfarë do të bëhet me të”.

Edhe në një rast tjetër gjatë debatit ajo e ka përsëritur se Demarkacioni do të dërgohet në Kuvend javën e ardhshme.

“Edhe nëse javën tjetër kalon Demarkacioni, edhe pse siç po shihet nga disponimi i deputetëve ai nuk do të kalojë, procedurat burokratike të BE’së, kanë për të marrë gjashtë muaj deri në një vit deri në liberalizim të vizave”, ka thënë Xharra duke lënë të nënkuptohet se edhe nëse deputetët do të votonin pro marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, vizat nuk do të liberalizohen shpejt për Kosovën.