Vrasjet me prapavijë politike para dhe pas lufte
Vrasjet mizore dhe kriminale me prapavijë politike, sikur edhe të gjitha vrasjet tjera që ndodhen para dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë më 12 qershor 1999 e deri më sot. Këto vrasje janë pasojë e hasmërive politike që nga vitet 1994/95/96/97/98 për ta shkatërruar së pari Shqipërinë, e më pastaj edhe Kosovën. Ja se si filloi përgatitja e këtij skenari makabër, i cili po vazhdon edhe sot. Drejtues të LPK-së në diasporë, krye-sisht në Zvicër e Gjermani, filluan të punojnë ngushtë me rininë, e cila, jo mjaft e pjekur politikisht, për ta kuptuar prapavinë politike të këtij skenari, filloi të bie nën ndikimin e kësaj propagande, si dhe etiketimeve që këta skenaristë ua mveshnin udhëheqësve politikë dhe partiakë në Kosovë dhe Shqipëri, në stilin se dr. Ibrahim Rugova, dr. Bujar Bukoshi dhe garnitura e tyre komplete, si dhe garnitura e presidentit demokrat të Shqipërisë dr. Sali Berisha, të cilin me cinizëm e quanin “Sala”, i quanin tradhtarë të kombit.
Kjo propagandë çdo ditë e mëtej sa vinte e rritej, kështu që, siç thamë më lartë, një numër i konsiderueshëm të rinjësh tanë filluan të binden se me të vërtetë Rugova dhe Berisha, si “tradhtarë që janë” dashkan që Kosovën ta lënë nën Serbi. Ju kujtohet kur Ibrahim Kelmendi bëri një grevë urie më 20-30 veta në Bonn të Gjermanisë duke akuzuar Berishën dhe Rugovën si tradhtarë, duke deklaruar se ata duhet të largohen nga pushteti sa më shpejt, sikur Rugova ta kishte marrë “pushtetin” në Kosovë me ushtri dhe polici, e jo me votën e lirë të popullit. Kjo tingëllonte në opinion poashtu sikur Kosova të mos ishte fare e okupuar nga Beogradi dhe Millosheviqi, por nga vetë dr. Rugova e dr. Sali Berisha. Duke rënë nën ndikimin e helmeve të kësaj propagande, një pjesë e rinisë shqiptare të Kosovës në diasporë filloi të kërcnohet haptazi se kush na pengon në rrugën tonë drejt pavarësisë së Kosovës, ne do ta vrasim. Ata vepronin pandërprerë, me qëllim që në Shqipëri ta sjellin në pushtet Partinë Socialiste me në krye Fatos Nanon, pasardhësin e diktatorit E. Hoxha. Ata e dinin se kjo rrugë nuk ishte e lehtë. Socialistët në Shqipëri, në bashkëpunim me LPK-në në diasporë, filluan me zbatimin e planeve të tyre famëkeqe, me ngritjen e piramidave edhe në bashkëpunim me bandat kriminale greko-italiane si dhe me disa rom- magjupet Gjallica, Sudja etj.
Kjo ishte metoda më e përshtatshme dhe më e lehtë për ta ngritur popullin në këmbë kundër pushtetit të brishtë demokrat të presidentit Sali Berisha.
E gjithë kjo bëhej me qëllim të caktuar dhe në mënyrë të sinkronizuar, sepse greku dhe serbi kishin vërejtur se Shqipëria kishte zënë të ecte me hapa të shpejtuar drejt progresit dhe pasurimit të vendit, po bëhej hapja e Shqipërisë ndaj Europës dhe botës demokratike, ngase vetëm brenda viteve 1992-96 në Shqipëri kishin hyrë mbi 200 mijë automjete, filluan të ndërtohen shumë rrugë, hotele dhe shtëpi private, vend ky që deri dje kishte qenë i izoluar nga diktatura komuniste.
Gjatë këtyre viteve, LDK-ja filloi që ta ndihmojë Shqipërinë në fusha të ndryshme, por bashkëpunimi ishte përqendruar në planin diplomatik, të hapeshin ambasada dhe konsullata jashtë, me qëllim që të bëhej koordinimi i aktiviteteve në planin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, si dhe hapja e Zyrës së Kosovës në Tiranë. Të gjitha këto aktivitete të përbashkëta ua vritnin syrin armiqve tanë shekullorë.
“Muaji i mjaltit” në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë, mjerisht, do të zgjasë deri në fund të vitit 1996, gjegjësisht në fillim të vitit 1997, kur bandat terroriste në krye me Zani Qaushin, i cili ishte i dënuar me 101 vjet burg në Greqi, bashkë me shumë shokë banditë të tij, gjithashtu të dënuar me nga 25-35 vjet burg, të përgatitura dhe të organizuara mirë në Greqi, hynë në Shqipëri dhe ngritën flamurin grek në Himarë, të cilët siç dihet, dalëngadalë do ta pushtojnë Shqipërinë deri në Tiranë, duke vrarë dhe rrënuar çdo gjë para tyre, me qëllim që ta rrëxojnë pushtetin demokratik, me pretekstin e rrejshëm se kinse Sali Berisha do ta pushtojë jugun e Shqipërisë me “bandat e malokëve” të veriut, parullë kjo shumë e rrezikshme dhe e kurdisur mirë, me qëllim të nxitjes së luftës civile në Shqipëri dhe pastaj për t’ia aneksuar jugun e saj Greqisë. Parulla të ngjajshme kishin filluar të dëgjoheshin qysh në fillim të vitit 1992, se kinse policët nga Kosova, që i ka sjellë Berisha në Shqipëri, po na rrahin nëpër rrugët e Tiranës.
Ishte kjo një gënjeshtër e qëllimtë kundër pushtetit demokrat, ngase nuk ishte fjala për policë, por për komandantin legjendar Adem Jasharin, i cili atëherë bashkë me heronjët Sali Çekun dhe Zahir Pajazitin dhe shokët tjerë, po bënin përgaditje ushtarake për luftë kundër Serbisë.
Fajin kryesor për zhbërjen e shtetit shqiptar në vitin 1997 e kanë oficerët e ushtrisë dhe të policisë së Shqipërisë, të cilët ishin të shitur dhe as që bënë orvatjen më të vogël që ta mbrojnë vendin nga sulmet e bandave të kuqe, por me ikje nga kazermat dhe lëshuarjen e vendeve të punës, turpëru-an tërë kombin shqiptar në Ballkan, i cili numëron rreth 8 milionë njerëz, që faktikisht me ndihmën e tyre do të dalë nga burgu Fatos Nano, të cilin edhe e vunë në krye të shtetit. Zbatimin e këtij skenari antishqiptar, e ndihmuan edhe individë të LPK-së me mjete financiare dhe para se të ndodhte puçi ushtarak, ata mblodhen shumë nënshkrime në formë peticioni, se kinse Fatos Nano është i burgosur i pafajshëm dhe se ai duhet të lirohet sa më shpejt nga burgu.
VITET 1997/2003, VITE ME VRASJE DHE FRIKËSIME!
Tirana zyrtare në vitin 1998, filloi të ketë kontroll të plotë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe diasporë. Bedri (Tafa) Islami u vu në krye të LPK-së për diasporë, në Tiranë Fatos Klosi me Xhavit Halitin. Në portet e detit Adriatik dhe aeroportin e Tiranës, i pengonin njerëzit të cilët dëshironin të shkonin për t’u kyçur në luftë në Kosovë, vetëm pse deklaroheshin se janë në përkrahje të institucioneve të Republikës së Kosovës. Luftëtarët ktheheshin mbrapa edhe nga organet shqiptare në Itali ose Gjermani. Për këtë duhet të flasë edhe ish kryeministri i qeverisë të Republikës të Kosovës, dr. Bujar Bukoshi, se sa material ushtarak, sa armë, kamionë, furra për pjekjen e bukëve etj janë kthyer mbrapa nga porti i Durrësit në bregdetin italian. Duhet të tregojë haptazi për hir të opinionit, se sa milionë DM ia dha Xhavit Halitit, që flitet diku për shumën prej 10 milionë DM, ose për ato 20 milionë DM, të cilat kolonel Halil Bicaj ia dha “dajës” ministrit të ashtuquajturës QPK-së, Azem Sylës, ku vetëm një ditë më pas në TVSH-në e Tiranës publikohet lajmi se shkuarja e dr. Rugovës në Beograd (me dhunë) është akt tradhtie dhe se B. Bukoshi është kriminel. Kjo propagandë ishte shumë e rrezikshme për rrethanat e atëhershme të luftës.
ME SIGURI SE HISTORIA DO TA THOTË FJALËN E VET DIKUR…
Bujar Bukoshi edhe pse bënte gabime të shumta në atë kohë, ngase qeveria nuk mbahej dot me tre ministra, ai filloi t’i humb lidhjet me presidentin Rugova dhe kreun e LDK-së në Gjermani. Ky ishte defekti më i madh i mossukseseve në të gjitha sferat e politikës diplomatike e ushtarake. E vetmja punë e mirë që bëri Bukoshi, sipas mendimit tim është fakti se nuk ia dorëzoi të hollat Demaçit e Qosjes me kompani. Sa i përket zonës këtu ku veproj unë, mund të them se detyrat që i morën përsipër nga ana e qeverisë disa “pseudopatriot”nuk i kryenin si duhet, Ata filluan t’i flasin mërgatës se kështu si vepron LDK-ja, nuk bën, se tani është koha për një organizim të ri (sipas qejfeve e tekave të tyre). Pranë kësaj, dy nga punëtorët detektivë të sigurimit shtetëror të Shqipërisë, Bedri Islami në Gjermani dhe Koço Danaj në Zvicër, në selinë e gazetës “Zëri i Kosovës” mbanin LPK-ën nën kontroll, sipas urdhërave të udhëheqjes kuislinge të qeverisë së Tiranës…