Votat që nxjerrin fituesin për Prishtinën e Prizrenin

  22 Nov 2017

Të enjten fillon numërimi i votave me kusht, kështu shpetj hiqen dilemat se kush përfundimisht do të jetë kryetar i Prishtinës, por edhe Prizrenit.

Koordinatori në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, thotë se rezultati bëhet i ditur në të njëjtën ditë, pra të enjten.

Ai thotë se në Prishtinë janë rreth 1 mijë 700 vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, ndërsa 97 vota me postë.

Kurse, për Prizrenin ai ka thënë se akoma nuk është kompletuar, pasi të kompletohen do të dihet saktësisht sa vota me kusht dhe me nevoja të veçanta.

Përfaqësues të Shoqërisë civile, të cilët po monitorojnë procesin e numrit të votave, kërkojnë që procesi i numërimit të votave me kushte të bëhet transparent, meqë rezultati për Prishtinën dhe Prizrenin është mjaft i ngushtë.

Hulumtuesi i KDI-së, Albert Krasniqi thotë se janë duke përcjellë punën që po bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Ai ka shtuar se është me rëndësi që kur të bëhet numërimi i votave me kusht, të ketë edhe përfaqësues të mediave, ku mund të prezantohet në kohë reale edhe te publiku.

Mirëpo, për kërkesën e LDK-së dhe PDK-së që të bëhet rinumërimi i votave në Prishtinë dhe në Prizren, Krasniqi ka thënë se nëse nuk ka ankesa dhe fakte nuk ka arsye të bëhet rinumërimi i votave.

Krasniqi i KDI-së, ndër tjera, ka thënë se përderisa numri i votave, të cilat duhet të numërohen është më i madh se sa diferenca ndërmjet kandidatëve, atëherë gjithmonë ekziston mundësia për përmbysje të rezultatit.