Vllasi tregon se çfarë do të bëj Serbia me Listën Srpska!

Lista Serbe pret certifikimin e KQZ-së për të marrë nën udhëheqje 10 komuna të Kosovës.

Zgjedhjet e 22 tetorit, rezultuan shumë të suksesshme për këtë parti.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi thotë se në këtë mënyrë Lista Serbe tashti do të instrumentalizohet nga ana e Serbisë.

Sipas tij, puna e parë që Beogradi do të bëjë është të realizojë synimin për të formuar bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

“Lista Serbe ka fituar në komuna me shumicë serbe, dhe ajo tashti do të instrumentalizohet nga ana e Serbisë. Në territoret e veta do ta ushtrojnë një lidhje sa më të ngushtë me Beogradin, ndërkaq pas kësaj Beogradi synon si punë të parën që do ta kryejë do të jetë formësimi i bashkësisë së komunave më shumicë serbe. Kështu, nëpërmes komunave me shumicë serbe ku ka fituar Lista Serbe e formuar dhe e dirigjuar nga Beogradi, ta mbanë lidhjen e drejtpërdrejtë në Kosovë”, ka thënë Vllasi në një prononcim për Indeksonline.

Vllasi konsideron se me formimin e komunave serbe, do të bëhet një lloj i imitimit të Republikës serbe në Bosnje.

“Nëse e formojnë edhe bashkësinë e komunave serbe, ky faktikisht do të jetë një lloj i imitmit të Republikës serbe në Bosnjë. Në anën tjetër Beogradi, flet se Lista Serbe në Kuvend të Kosovës dhe anëtar të qeverisë serbe në Kosovë janë aty për t’i penguar shqiptarët, punën në parlament e kështu me radhë. Janë aty për të penguar punë të rëndësishme siç është ndryshimi i Kushtetutës, apo formimi i qeverisë apo gjërave tjera të rëndësishme”, ka theksuar ai.