Vjen edhe goditja e radhes per Milaim Zeken
Deputeti Milaim Zeka që po mbahet në arrest shtëpiak për dyshimet për implikim në një skandal me viza punësimi në gjermani e ka të ndalur prononcimin për media.
Në vendimin e të martës, të Gjykatës Themelore të Prishtinës, sipas bashkëshortes së deputetit të Nismës, Edlira Qefalija-Zeka thuhet se Milaim Zeka e ka të ndalur çfarëdo prononcimi publik.
“Të pandehuri i ndalohet çdo prononcim publik në media, qoftë elektronike apo të shkruara”, citon Qefalija-Zeka, për Gazetën Express, vendimin e gjyqtarit Isuf Makolli ndaj të dyshuarit për “mashtrim”, “krim i organizuar” dhe “shmangie tatimi”.
Me këtë rast, ajo tregon se bashkëshorti i saj e ka edhe telefonin e ndalur.
Ndryshe, prej kufizimit për deklarim në media gjatë kohës sa Zeka ndodhet në arrest shtëpiak, i njëjti sipas vendimit të Gjykatës Themelore mund të kryej angazhimet e tij si deputet.
Deputeti i Nismës, përveç në seanca, të Kuvendit të Kosovës, atij i lejohet pjesëmarrja edhe në komisione parlamentare.
Këtë e kishte konfirmuar për Gazetën Express vetë gjyqtari që dha vendimin për Zekën.
“Në seanca ka te drejtë me shku dhe mu kthy në shpi. Edhe në komisione”, pati konfirmuar gjyqtari Isuf Makolli, të mërkurën.
Të njëjtit i është konfiskuar edhe pasaporta.
Deputeti Milaim Zeka ishte arrestuar të hënën nga Policia e Kosovës. Arrestimi i tij është bërë për dyshimet se Zeka ka qenë i përfshirë në një skemë mashtrimi me viza pune në Gjermani për 920 kosovarë.
Prokuroria Themelore e Prishtinës menjëherë kishte kërkuar që ndaj Milaim Zekës të shqiptohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Por, gjykata të martën ka vendosur masë më të lehtë ndaj tij, atë të arrestit shtëpiak.
Pak ditë para këtyre zhvillime portali “Insajderi” kishte publikuar hulumtimin për këtë skandal me viza, në të cilin dyshohet se Zeka ka qenë i implikuar, duke krijuar një biznes të tillë bashkë me partnerin e tij biznesmen, Ilir Krasniqi.
920 kosovarë kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi, e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi, ka raportuar Insajderi, më 3 tetor të këtij viti.
Sipas hulumtimit të kësaj gazete, aplikantët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit dyshohet se aplikantët janë gjendur brenda një skeme mashtrimi, të cilën Prokuroria ka nisur hetimet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi.
Partneri i Zekës, Ilir Krasniqi, tashmë ndodhet në paraburgim, pasi për të njëjtën skemë ishte arrestuar para disa javësh.