fbpx

Vjen dorëheqja e parë, ‘shkak’ humbja në zgjedhje

  19 Dec 2017

Sot kryetar i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe anëtarët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës kanë dhënë betimin, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, seancën inauguruese duhet ta udhëheq anëtari më i vjetër në moshë i Kuvendit Komunal, e që sipas rezultateve të shpallura nga KQZ-ja, ai është Avni Kastrati, ish kryetar i komunës dhe kryetar i degës së PDK-së në Mitrovicë.

Veriu.info mëson se Kastrati kishte dorëzuar në KQZ dorëheqjen javën e kaluar, duke i mundësuar kështu që ai të zëvendësohet nga Alban Fazliu, i cili ishte i pari në radhën e pritjes për asambleist.

Burimet të portali Veriu.info bëjnë të ditur se njëra prej arsyeve që e ka shtyrë Kastratin të jep dorëheqje, është pikërisht fakti se ai do të duhej të ulej pranë kryetarit të rizgjedhur dhe ish rivalit të tij në zgjedhjet e vitit 2013, Agim Bahtiri, duke u kujdesur kështu për mbarëvajtjen e dhënies së betimit nga ai.

Mirëpo, për shkak të dorëheqjes së Avni Kastratit, senacën e ka udhëhequr asambleisti Gani Haliti nga radhët e PDK-së, që doli të ishte më i vjetri nga asambleistët e certifikuar.

Kujtojmë se në vitin 2013 Avni Kastrati kishte pësuar humbje nga Agim Bahtiri, e cila nga PDK ishte quajtur aksidentale, por që të njëjtën e pësuan edhe në muajin e kaluar me Valdete Idrizin