Vetëvendosje vodhi 100 vota në shkollën “Nazim Gafurri” në Prishtinë?
Lëvizja Vetëvendosje ka rritur dje epërsinë e votave të kandidatit të saj Shpend Ahmeti ndaj Arban Abrashit duke i vjedhur 100 vota në shkollën “Nazim Gafurri”, që ndodhet në pjesën veriliondore të kryeqytetit.
Por, këto vota i janë hequr Ahmetit duke ulur epërsinë e tij në 207 vota pasi është zbuluar se janë manipuluar procesverbalet. Tani në kryeqytet po pritet numërimi i votave me kusht, personave me nevoja të veçanta, atyre nga diaspora. Gjithsej bëhet fjalë për 1800 vota, me të cilat në Lidhjen Demokratike të Kosovës besojnë se do ta përmbysin përfundimisht rezultatin e rivalit të tyre Shpend Ahmetit. Tek personat që kanë hedhur vota me kusht bëjnë pjesë policia, kujdestarët në qendrat mjekësore dhe në QKUK, personat me nevoja të vecanta dhe votat nga diaspora.
Në KQZ thonë se numërimi i këtyre votave do të fillojë të enjten ose të premten. Ndërkohë që ka gjasa së fituesi përfundimisht të dihet gjatë fundjavës.
Në një paraqitje për media, zyrtarë nga Shtabi Zgjedhor i LDK-së që e kanë bërë mbrëmë pas mbylljes së vendvotimeve ka thënë se votat me kusht do ta bëjnë kryetar Abrashin.
Lumir Abdixhiku, shef i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, ka thënë se rezultati aktual do të përmbyset.
“Rezultatet janë të përmbytshme pas numërimit të votave me kusht. Matja kryesore e jonë në këtë aspekt është historia, duke marrë për bazë edhe zgjedhjet e kaluara, që na thonë se votat me kusht shkojnë në favor të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Janë 1510 vota me kusht dhe 94 me postë dhe sipas llogaritjeve tona është lehtë e përmbytshme”, ka thënë Abdixhiku.
Por, sipas disa llogaritjeve nga partitë, numri i votave me kusht është rreth 1800 e jo 1500.