Veseli:Ky gjyks e vrau komandant Drinin!
Dëshmitarët që janë cilësuar si kyç në këtë proces, Remzi Shala, Bashkim Ndrecaj dhe Kadri Shabani (boshnjak) ishin në sallë, por të hënën dëshmoi Shala, i cili në dhënien e dëshmisë ishte konfuz, për çka pati polemika midis prokurorit ndërkombëtar Hickman, gjyktëses Karpati dhe mbrojtjes së të akuzuarve. Vazhdoi gjykimi në procesin “Drini” në Prizren
FADIL BYTYÇI
PRIZREN, 24 QERSHOR 2002 / Koha ditore – Në Gjykatën e Qarkut në Prizren të hënën me një rë vonesë vazhdoi procesi gjyqësor që tashti njihet me emrin “Drini”, kundër të akuzuarve Habit Haziraj, për vrasjen e Komandant Drinit, Sali Veselit për organizim dhe Halil Çadrakut e Xhemajl Beqirajt për ndihmë. Një orë të akuzuarit kanë pritur fillimin me duar lidhur në bankën e të akuzuarve, ndonëse ata ndodheshin në sallën e gjyqit të rrethur me policë.
“Mosmarrëveshjet mes avokatëve dhe administratës së gjykatës ishin rezultat i vonesës”, u shpreh avokati Fazli Balaj në vërejtjen e kryetares së trupit gjykues Karpati se vonesa sipas saj ishte “pasojë e mosardhjes me kohë e avokatëve”. “Ne kemi ardhur me kohë, por administrata e gjykatës ka thënë se të paraburgosurit arrinë në orën 10”, tha Balaj.
Për të hënën ishte paraparë që në procesin gjyqësor të rastit “Drini” të paraqiteshin dëshmitarët të cilët janë cilësuar si kyç në këtë proces: Remzi Shala, Bashkim Ndrecaj dhe Kadri Shabani (boshnjak), të cilët ishin në sallë, por për Kadri Shabanin, gjykatësja ka bërë urdhëresë që ai të dëshmonte më 1 prill. Para së të fillonte procesi, avokati Rexhep Hasani, kërkoi nga kryetarja e trupit gjykues Karpati që të kërkonte nga mediat korrektësi për shkak se ai kishte vërejtje se nga ky gjykim dezinformojnë opinionin.
Hasani, pyetjes së gazetarëve se për cilat media kishte fjalën, ai tha: “Për korrespondentin e gazetes “Bota sot”, e cila ka shtrembëruar dëshminë e së vesë së Ekrem Rexha, Hajrie Rexha”.
“Për herë të parë kam kuptuar se po përgatitej vrasja e Drinit”
“Unë i njoh 4 të akuzuarit dhe ata e njohin mirë njëri-tjetrin”, deklaron në fillim të dëshmisë së tij dëshmitari Remzi Shala, i cili ka qenë shofer i Sali Veselit, ishkomandant i Zonës II Mbrojtëse të TMK-së. Ai më pas ka thënë se “për herë të parë kam kuptuar se po përgatitej vrasja e Drinit në zyrën e Veselit kur Fatosi (nofka e Halil Çadrakut) ka hyrë në zyrë të Veselit dhe i ka thënë atij se “këqyr çka ka shkruar ky qen, (për Drinin) në gazetën “Ditët e shpresës”, ndërsa sipas Shalës, Veseli i ka thënë se “ti e di urdhrin dhe Fatosi ia ka kthyer se unë do ta gri këtë dhe do të hedh në bërllok”.
Më pas, Shala ka rrëfyer se si pas varrimit të Drinit, kanë festuar në “Pojata” ku ishin 13 persona, ndër të cilët Sali Veseli, Halil Çadraku, Sadik Halitjahaj, Alush Shala, Xhemajl Beqiraj, duke pranuar se aty ka qenë edhe vetë. Sipas tij Veseli në atë drekë në “Pojata” ka thënë se “ne e vramë Drinin, ndërsa tani është në radhë Bislim Zyrapi dhe se unë e vras njerin dhe mirë ia lexoj referatin në varrim”, deklaroi Shala.
Duke folur më tej, (deklaratën e tij askund nuk e ndërpreu gjyqtarja Karpati) tregon se pas kalimit të Veselit në Mitrovicë, në rrugë për atje “Veseli më ka treguar se ‘qyky gjyks vret njerëz’, duke më bërë të ditur se unë e kam ‘Nixhen’, për të cilin më vonë kam kuptuar se ai ishte Habit Haziraj dhe njëherësh Sali Veseli më ka pyet se ‘a e ka marrë vesh populli se unë e kam vra Drinin, për çka unë ia kam kthy se jo ende nuk e ka marrë vesh”, shprehet dëshmitari Shala.
Duke vazhduar më tej, ai tregon se si shofer i Veselit, 2 javë para se të vritej Drini ka pasur një takim mes Veselit, Fatosit, Alush Shalës, Sadik Halitjahës e ku ishte edhe Xhemajl Beqiraj, në hotelin “Theranda” ku “sipas bindjes sime aty është bërë fjalë për vrasjen e Drinit”, ka thënë ai. Pyetjes së gjyqtares se si e ka ditur ai se në këtë takim është folur për organizimin e vrasjes së Drinit, ai është përgjigjur: “Kam dyshuar në bazë të asaj se në zyrën e Veselit i kam dëgjuar duke folur për këtë atë dhe Fatosin për artikullin e gazetës për të cilën fola më parë”.
Në këto çaste gjyqtarja e ka ballafaquar me deklaratën e tij, dhënë më 2 gusht 2001, ku para gjyqtarit hetues të së njëjtën pyetje i është përgjigjur se “këtë e ka kuptuar më pas, pasi që ka dëgjuar në ‘Pojata’ çfarë është folur aty”.
Konfuzioni i dëshmitarit dhe polemikat
Një konfuzion të theksuar ka shprehur dëshmitari Shala kur ka filluar ta merrte në pyetje dëshmitarja Karpati, për çka ka pasuar edhe polemika mes prokurorit ndërkombëtar Hickman, i cili duke i përcjellë përgjigjet e dëshmitarit, u përpoq që këtë konfuzion të tij t’ia mveshte, siç tha ai, “pasaktësisë së gjyqtarit hetues, i cili dëshmitarit ia ka aforuar deklaratën që ta nënshkruante në gjuhën angleze dhe dëshmitari nuk ka ditur se ç’kishte nënshkruar”, është shprehur ai, për çka ndërhyn Karpati, e cila tha se kjo nuk qëndron pasi që atij fillimisht i është lexuar edhe versioni shqip i deklaratës.
Avokatja Sadie Mjekiqi më pas ka ndërhyrë ku ka përkujtuar prokurorin Hickman, i cili përfaqëson aktakuzën kundër 4 të akuzuarve në këtë proces, se “shumë saktë gjykatësja 3 herë e ka ballafaqur me daklaratën e tij dhe këto paqartësi i ka pohuar edhe në 5 pyetjet e veta dëshmitari, prandaj nuk është e qartë se pse prokurori nuk e pranon këtë fakt”, tha ajo. Ky konfuzion ka ardhur atëherë kur Karpati ka pyetur dëshmitarin Shala se kur dhe ku ka dëgjuar për herë të parë t’i ketë thënë Veseli se “ne sot e vramë Drinin”, ndërsa ai në 5 raste ka thënë se “këtë e kam dëgjuar në ‘Pojata’ në ditën e vrasjes së Drinit”. “A këtë e ke dëgjuar në ditën e vrasjes së Drinit, ripyet disa herë dëshmitarin gjykatësja.
“Nixha” ishte Habit Haziraj
Karpati dhe ai ia kthen përgjigjen se në ditën e vrasjes së Drinit, ndërkohë që ajo e ballafaqon me faktin se një takim është mbajtur në ditën e funeralit, e pyet nëse ka pasur 2 dreka në “Pojata”, ai përgjigjet se “jo ka pasur vetëm një drekë”.
Më pas gjyktësja Karpati ka pyetur dëshmitarin se si ka kuptuar se vrasësi është Haziraj, dëshmitari Shala ka thënë se “këtë ma ka thënë Veseli duke më treguar se atë e ka vrarë “Nixha”, por mbiemrin e kam kuptuar nga Xhemajl Beqiraj”, ku isha së bashku me Bashkim Ndrecajn në banesë në Mitrovicë dhe ne me të së bashku, pasi që dinim vetëm mbiemrin dhe pseudonimn “Nixha” vinim natën tinza te Sali Veseli dhe Xhemajl Beqiraj për të shkuar në Drenicë dhe për të kuptuar se kush ishte vrasësi i Drinit dhe atje nga disa shitës cigaresh kemi kuptuar se Haziraj, “Nixha” ishte Habit Haziraj”, thotë Shala për të shtuar më pas se menjëherë kam lajmëruar policinë pasi që unë shumë e kam dashur Komandant Drinin.
Më pas kryetarja e trupit gjykues e ka ballafaquar dëshmitarin Shala me disa pasuese të deklaratës së tij dhënë para gjyqtarit hetues, të cilat nuk korrespondonin me dëshmitë e tij të së hënës në disa raste dhe pyetjes së kryetares së trupit gjykues se pse këto nuk ia ka thënë dëshmitari gjykatësit hetues, ai u shpreh: “Kam dashur që në hollësi të flas para trupit gjykues dhe t’ia them në sy Veselit”.
Kështu kur kryetarja e trupit gjykues e pyet dëshmitarin se a ka qenë në takim para vrasjes së Drinit në hotelin “Theranda” Sadik Halitjaha dhe pas funeralit të Drinit në “Pojata” ai shprehet se “ka qenë në të dyja këto takime”, ndërsa më pas gjykatësja e ballafaqon atë me deklaratën e tij, dhënë gjykatësit hetues se më 2 gusht 2001 ku thotë se “dua ta korrigjoj veten se në takimin e dytë në ‘Pojata’ nuk ka qenë Sadik Halitjahaj”, pyetjes se pse ndodhin këto papërputhshmëri me dëshminë e tij, Shala tha vetëm këtë “se unë po them se në të dyja këto takime ka qenë edhe Halitjahaj.
Konfuziteti i dëshmisë së dëshmitarit të sotëm në disa raste është provuar edhe gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit nga mbrojtëst e të akuzuarëve, e kjo vërehej sidomos në papërputhsmërinë kohore parë disa nga të dhënat e tij si dëshmi. Gjykimi vahdon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë, Bashkim Ndrecaj dhe z.Shabani.