Veseli: PDK është forca e ndryshimeve të mëdha

  03 Oct 2017

Kadri Veseli ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës po dëshmon se është forca e parë, forcë politike që di ta ndryshojë veten dhe vendin dhe gjithmonë të gatshëm për të udhëhequr ndryshimet që i kërkon koha dhe qytetaret.

Në një tubim elektoral të mbajtur sonte në Prishtinë, në të cilin ishin të pranishëm të gjithë kandidatët e PDK-së për kryetarë të komunave.

“Ne jemi Forca e Ndryshimit. Ne u përgjigjemi më së miri kërkesave të qytetarëve dhe kohës. Ne kemi ofertën më të mirë politike për qytetarët. Ne jemi gjithmonë me qytetarët dhe gjithmonë për qytetarët”, tha ai.

Ai ka thënë se vendin e presin sfida të mëdha, por shtoi se njerëzit e këtij vendi kanë mundësitë që ato të përballohen dhe që Kosova të zhvillohet.

Veseli ka folur edhe për vizionin e PDK-së për udhëheqjen e komunave për katër vjetët e ardhshme.

“Komuna në shërbim të qytetarit, pa pengesa e vonesa burokratike, komuna që udhëheq me modernizimin e jetës sonë, komuna në shërbim të ndërmarrësisë dhe inovacionit, komuna në shërbim të fermerëve të devotshëm të Kosovës, komuna me shans për të rinjtë e Kosovës, komuna që udhëhiqen nga gratë, komuna që garanton siguri dhe cilësi në edukim për nxënësit, çerdhe dhe shkolla me standarde të larta perëndimore, bursa për të gjithë studentët me notë mesatare mbi 8, zero taksa për iniciativat ekonomike, tokë publike për ndërmarrësit dhe prodhuesit, trajnime të vazhdueshme për fuqinë punëtore, praktikë me pagesë për të sapo-diplomuarit, fond punësimi për sipërmarrësit e rinj,”, ka deklaruar Veseli.

Më tutje, ai është shprehur se 22 tetori do të jetë një kthesë e madhe dhe, sipas tij, në çdo kthesë të madhe qëndron Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i PDK-së ka siguruar se askush nuk mund të ndalë suksesin e Kosovës shtet.

“Ne besojmë në shtetin e Kosovës dhe nuk do të ndalemi kurrë së punuari për vlerën më sublime që ka krijuar populli ynë në histori, Republikën e Kosovës. Jashtë mund të tentojnë të na bllokojnë dhe brenda të na frenojnë, por rruga jonë është e pandalshme, është pakthyeshme”, ka thënë ai.

Në këtë tubim, para anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së, kanë folur edhe kandidatët për kryetarë komunash, Valdete Idrizi, Lirak Çelaj, Shaqir Totaj, Zenun Pajaziti dhe Agim Aliu.