Veseli ka imunitet, Selmanaj s’mund ta padisë për akuzat e djeshme në kuvend!
Përplasja e djeshme verbale në seancën e djeshme në Kuvendin e Kosovës mes deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Dalja e deputetit Selmanaj në foltore dhe përmendja e ShIK-ut, ka ngjallur reagimin e kreut Veseli.
Në fjalimin e tij, Veseli ka thënë se deputeti Selmanaj është turpi i shoqërisë civile, për të cilin ka thënë se e kanë larguar nga projekti i USAID-it në KDI për manipulime.
“Je turpi i shoqërisë civile”, i ka thënë Veseli deputetit Selmanaj.
Selmanaj ka reaguar ndaj kritikave të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, duke thënë se është detyruar të largohet për shkak të Kadri Veselit.
“Unë jam detyruar që ta lëshoj KDI-në dhe kam formuar Demokracinë Plus nga fondacioni i USAID-it”, është shprehur Selmanaj.
Në replikën e tij Selmanaj ia ka përmend ShIK-un Kadri Veselit. Pas kësaj ka reaguar Veseli duke ia përmendur atij çështjet personale dhe familjare.
Pas disa replikave, deputeti Selmanaj e ka lëshuar sallën e Kuvendit, duke thënë se Veseli këtë çështje e ktheu në personale.
Selmanaj shqyrton mundësinë ta padisë Veselin për deklarimet e tij
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka theksuar se është duke e shqyrtuar mundësinë që ta padisë kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për akuzat e bëra në adresë të Selmanajt si “abuzues i shoqërisë civile”.
Ai ka thënë se shefi i Kuvendit vazhdimisht e ka shkelur rregulloren e Parlamentit, duke qenë, sipas tij, i vetëdijshëm me këtë fakt.
“Ti thuash dikujt keqpërdorues dhe manipulues më nuk është çështje politike, por personale. Jam duke e shqyrtuar imunitetin e deputetit në mënyrë që ta padisë”, ka theksuar Selmanaj.
Ai ka thënë se Veselit i kanë penguar paraqitjet e tij dhe kritikat e forta që i ka bërë në adresë të tij, duke thënë se “ato janë bindje të mija dhe unë me të drejtën që ta them mendimin tim nuk bëjë kompromis”.
Veseli ka imunitet, Selmanaj s’mund ta padisë atë
Kushtetute e Republikës së Kosovës, ndër tjera, parasheh edhe imunitetin e deputetëve për veprimet e tyre që lidhen me fushëveprimin e tyre, por edhe për veprimet që dalin përtej tyre.
“Deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit. Imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive së tyre si deputetë të Kuvendit”, thuhet në nenin 75 të Kushtetutës ku flet për imunitetin e deputetëve.
Në po të njëjtin nen të Kushtetutës flitet edhe më tutje duke thënë se deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij si deputet i Kuvendit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Rreth çështjes së imunitetit të deputetëve kishte sqaruar edhe Gjykata Kushtetuese kur kishte marrë vendim për imunitetin e ish-deputetit të Kosovës, Fatmir Limaj.
Edhe në atë vendim sqarohet situata e njëjtë.
“Deputetët nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Kjo ka të bëjë me ndjekjen penale për veprat penale të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë rrjedhës së mandatit të tyre si deputetë. Deputetët nuk gëzojnë imunitet nga paditë civile për veprimet dhe vendimet jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre”, thuhej ndër tjera në atë vendim.
Fjalimi i djeshëm i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, e bëri brenda përgjegjësive të një deputeti, i cili ishte deklarim për një çështje të caktuar që kishte të bënte me një deputet të Kuvendit.