Trump ‘hedh dritë’ mbi vrasjen Kennedit. Çfarë u zbulua në dokumentet ‘Top Secret’

  28 Oct 2017

Ashtu sic edhe ishte paralajmëruar Donald Trump ka bërë publike 2.800 dosje të klasifikuara mbi vrasjen e Presidentit John F Kennedy në vitin 1963.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se publiku meriton të jetë “plotësisht i informuar” për ngjarjen, e cila ka qenë subjekt i shumë teorive konspirative dhe është konsideruar si dosja me misterioze në botë.

Por disa dokumente janë mbajtur të fshehta me kërkesë të agjencive qeveritare.

Një dokument zbuloi se FBI-ja kishte paralajmëruar policinë për një kërcënim me vdekje ndaj personit të akuzuar për vrasjen Kennedit, Lee Harvey Osvald.

“Ne njoftuam menjëherë shefin e policisë dhe ai na siguroi se Osvaldit do t’i jepej mbrojtje e mjaftueshme”, shkruante drejtori i FBI-së, J Edgar Hoover.

“Vrasësi zyrtar” i Kennedit, Osvaldi, u qëllua për vdekje në bodrumin e Departamentit të Policisë së Dallasit, dy ditë pasi Presidenti u vra.

Dokumentet e sapo publikuara përfshijnë një memo të CIA-s që sugjeron se Osvaldi foli me një oficer të KGB-së në ambasadën ruse në Mexico City.

Memorandumi thotë se oficeri i KGB-së foli me Osvald në emër të një departamenti “përgjegjës për sabotim dhe vrasje”.

Një tjetër memorandum tregoi se zyrtarët sovjetikë kishin frikë se një “gjeneral i papërgjegjshëm” do të niste një raketë drejt BRSS-së pas vdekjes së Presidentit Kennedy.

Dokumente të tjera tregonin se si një gazetë rajonale britanike, “Cambridge Neës”, mori një telefonatë anonime rreth “disa lajmeve të mëdha” në SHBA, orë para vrasjes së Kennedi.

Çfarë ndodhi atë ditë?

Presidenti Kennedi u qëllua për vdekje më 22 nëntor të viti 1963 ndërsa udhëtonte nëpër Dallas në një limuzinë të hapur.

Raporti i departamenti të policisë, i botuar në shtator 1964, saktësonte se i dyshuari Lee Harvey Osvald kishte qëlluar presidentin nga ndërtesa e Departamentit të Librit të Shkollës së Teksasit.

Nuk ka “asnjë dëshmi që vërteton se Lee Harvey Osvald ishte pjesë e ndonjë komploti, vendas apo të huaj për të vrarë Kennedin, tha komisioni në atë kohë.

Një ligj i vitit 1992 i miratuar nga Kongresi kërkoi që të gjitha të dhënat lidhur me vrasjen e tij, të cilat ishin rreth pesë milionë faqe, të publikohen plotësisht brenda 25 vjetëve.

Më shumë se 90% e dosjeve janë vënë tashmë në domenin publik.

Në një memorandum drejtuar drejtuesve të departamenteve ekzekutive për publikimin e dosjeve, Trump tha se publiku amerikan meriton të jetë “plotësisht i informuar për të gjitha aspektet e kësaj ngjarjeje të rëndësishme”.