Thaqi e ka hallin e “kokes se vet”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e di shumë mirë se çfarë është marrëveshje e mirë dhe çfarë e keqe. Ai e di në detaje se çfarë i sjellë Kosovës marrëveshja me Serbinë. Ai ka qenë partneri i katërt në këtë dialog, në mesin e SHBA-së, BE-së dhe Serbisë. Është pikërisht Thaçi i përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare të jetë në krye të këtij dialogu si partner nga Kosova, sepse ndërkombëtarët ia dinë “hallin” e “dertin”.

Është lojtari më i përshtatshëm i realizimit të projekteve që dëmtojnë Kosovën. Kjo marrëveshje me Serbinë është e dëmshme për shumicën shqiptare në Kosovë, për shkak se e ka negociuar, pranuar dhe nënshkruar Thaçi. Kryeministri i Kosovës nuk e ka hallin e shtetit, as të territorit të saj, por e ka hallin e “kokës së vet”.

Thaçi shkon në Bruksel për të arritur marrëveshje me Daçiçin, duke ditur se pak kilometra më tutje në po këtë qytet një prokuror ndërkombëtar është duke e hetuar atë pas akuzave të rënda për përzierje në tregti me organe të serbëve të kidnapuar gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Në një situatë të tillë është lehtë e kuptueshme se kryeministri i këtij vendi në Bruksel ishte pjesëmarrës i negociatave për dobësimin e Kosovës, me shpresën se ky “kooperim” do t’i shpaguhet duke e lënë të qetë drejtësia ndërkombëtare.

Publikimi i dyshimeve të drejtpërdrejta ndaj tij, të cilat mbeten pezull derisa nuk përfundojnë hetimet, dhe frika se çfarë do të dalë nga këto hetime, e mbajnë peng Thaçin. Ai në vazhdimësi u ka bërë “amin” kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare. Për pasojë janë prodhuar plane e pika, të cilave Kosova ua ka parë sherrin përherë.

Nisur nga kërkesa për “investime” në autostradë, plan ky ndërkombëtar i shtyrë pa e çarë fare kokën se kështu kosovarët po futen në krizë të madhe financiare e deri te dhënia e tenderëve qindra milionësh kompanive turke. E gjithë kjo duket si një pazar i fuqive të mëdha, që Turqisë t’i jepet mundësia të shtrijë ndikimin e saj ekonomik në Ballkan, si “shpërblim” për moslejimin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

Thaçin e duartrokasin me dinakëri derisa kryen punët me porosi dhe në dëm të popullit të tij. Në të njëjtën kohë herë pas here “të huajt” i nxjerrin raporte për krim të organizuar, me të cilat e shantazhojnë kurdo që e shohin të nevojshme. Është bashkësia ndërkombëtare ajo e cila e vlerësoi marrëveshjen e fundit si arritjen më të mirë, për faktin që Thaçi e Daçiç u ulën pranë njëri-tjetrin, por në fakt kjo marrëveshje nuk premton as paqe e as qetësi.

Thaçi me këtë marrëveshje, nuk i jep autoritet Kosovës për të ushtruar sovranitet në pjesën veriore, por mund t’i japë shans vetes për t’i shpëtuar denigrimit personal në nivel ndërkombëtar. Këtu gjithçka varet nga aksham pazari që ka arritur me faktorin ndërkombëtar. Gjithë matematika e tij sillet rreth vetes së tij. Po të ishte ndryshe, po t’i kishte Thaçi parasysh interesat afatgjata të Kosovës, ai do t’i kishte thënë jo një marrëveshjeje shtetdëmtuese, siç është kjo me Serbinë.

Me këtë marrëveshje Kosova s’e qeveris veriun, por e dorëzon sovranitetin te serbët lokalë e këta këtë sovranitet pastaj e ndajnë me Beogradin. Brenda sistemit kushtetues të Kosovës është instaluar një bombë me sahat. Pasojat do të shihen jo vetëm gjatë implementimit, të cilin serbët do ta sabotojnë kudo që munden.

Thaçi na ka treguar të gjithëve se për interesa personale është i gatshëm të bëjë çfarëdo negociatash që nuk i sjellin kurrë paqe vendit e që nuk i japin mundësi Kosovës të shtrijë sovranitetin në tërë territorin e saj. Kryeministri i Kosovës duke ditur se në një mënyrë po e dorëzon pjesën veriore të vendit, ku nuk mund të dërgojë as policinë e as gjyqësinë, po përpiqet që me një mobilizim të instrumenteve të tij propagandistike marrëveshjen shtetdëmtuese ta shesë si shtetndërtuese.

Thaçi nuk mund ta harrojë faktin se dosjet për të gjithë familjarët, miqtë e shokët e tij, të cilët edhe nga mbarimi i luftës e kanë plaçkitur dhe terrorizuar Kosovën, janë në Bruksel.