fbpx

Thaçi, Veseli dhe Haradinaj marrin vendim befasues për Gjykatën Speciale?!

  29 Dec 2017

Gjykata Speciale u votua nga një shumicë e deputetëve para 2 viteve në Parlamentin e Kosovës. Koalicioni qeverisës i asaj kohe i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si dy partitë më të fuqishme në Kosovë deri para zgjedhjeve nacionale të qershorit, u bënë bashkë për ta kaluar këtë sfidë e cila konsiderohej shumë e rëndësishmë për të ardhmen dhe integrimet e vendit.

Atë kohë, Gjykata Speciale u konsiderua e nevojshme pasi që ishte edhe një kërkesë direkte nga Bashkimi Evropian. Nisi me një akuzë të senatorit Marti e përfundoj me ratifikim në organin më të lartë ligjvënës në Kosovë.

Por vetëm 2 vite më vonë, siç duket kanë ndërruar shumë gjëra. Kjo pasi që PDK-ja si partia më e zëshme se Gjykata Speciale duhet të votohej atë kohë, del të jetë iniciatore e shfuqizimit të saj. Kjo tentativë e dështuar e të premtes së javës së kaluar, u përcollë me kritika të mëdha nga shtetet e huaja të cilat gjenden në Kosovë.

Treshja e orkestrimit ishin tre ish komandantët, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj.

Këto tri figura politike u bënë bashkë që ta shfuqizojnë një Gjykatë e cila tashmë është fuqizuar shumë pasi që me miliona euro janë ndarë sa i përket funksionimit të kësaj saj.

Shfuqizimi i saj do të nënkuptonte një rrezik të madh për Kosovën, kështu janë deklaruar zyrtarë të Ambasadave në Kosovë.

Por një tentativë e dështuar e të premtes nuk do të nënkuptonte se sjellja në Kuvend përsëri e asaj kërkese nuk do të ndodhë.

Zyrtarë të partive politike shprehen rreth kësaj teme dhe rreth mundësisë që të sillet në Kuvend prapë tema e shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Tentohet prapë në janar?

Për më tepër zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ka deklaruar për “Bota sot” se një nismë e tillë do të tentohet të hyjë në rënd të ditës në seancat e ardhshme të cilat do të mbahen.

“Kosova nuk rrezikohet asgjë nga Gjykata Speciale. Unë do të kërkojë që të hyjë në rend të ditës përsëri tema për shfuqizimin e Gjykatës Speciale”, ka thënë Hasani.

Nga deklarata e Nait Hasanit, kuptohet se muaji janar do të jetë muaji i nxehtë i tentativës për ta zhbërë Gjykatën Speciale.

Lajçi: Vetëvendosje është kundër Speciales

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Ali Lajçi për “Bota Sot” ka thënë se subjekti i tij e ka treguar qëndrimin në lidhje me Gjykatën Speciale qysh atëherë kur është proceduar në Kuvend.

“Vetëvendosja e ka treguar që është kundër Gjykatës Speciale pasi që beson në luftën e pastërt të UCK-së. Edhe atëherë ka qenë kundër por tasht pasi që kanë ndërruar gjërat ne nuk pranojmë që të bëhemi pjesë e një loje të orkestruar nga partitë në pushtet”, është shprehur Lajçi.

Sipas tij Kosova rrezikon në mbylljen e disa dyerve në rast se insiston që ta procedojë në Kuvend prapë çështjen e Gjykatës Speciale.

Mungesë serioziteti

Ndërsa deputetja Mimoza Kusari-Lila e cila si deputete nga radhët e Alternativës, që bënë pjesë në kuadrin e deputetëve të LDK-së, është shprehur për “Bota sot” se veprimi i fundit tregon një mungesë serioziteti të institucioneve të Kosovës.

“Shfuqizimi i atij ligji tregon mungesë të seriozitetit të shtetit dhe e ka rreziku shumë seriozisht mirëqenien dhe ekzistimin e shtetit të Kosovës në raport me të gjitha ato forca kritike që kanë ndiku në lirimin dhe formësimin e shtetit tonë”, tha Kusari-Lila.

Sipas saj ajo se çka ka ndodhë mbrëmjen e së premtes ka qenë gjëja më e rëndë dhe më e frikshme që ka mundur t’i ndodhë shtetit të Kosovë dhe Kosovës si shtet i është thënë bukfalisht se po rrezikohet shtetësia e Kosovës.

Përderisa nuk kanë mbetur edhe shumë ditë deri në fillim të janarit, mbetet të shihet qasja e shtetit të Kosovës karshi trajtimit apo ridiskutimit të çështjes së shfuqizimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës.

Sigurisht se Kosova do të rrezikonte shumë në rast se do të provonte edhe njëherë që ta aktualizonte çështjen e Gjykatës Speciale dhe do të dëshmonte se në krye të shtetit ka njerëz të cilët veprojnë në bazë të interesave të tyre të ngushta personale.