Thaçi: S’e kam ditur që kaq shumë e kundërshtojnë Albinin brenda VV’së
Opinionisti dhe njëri nga përkrahësit haptazi të Lëvizjes Vetëvendosje, Jusuf Thaçi, thotë se nuk e ka pritur një skandal si ky i fundit brenda këtij subjekti politik, pasi vlerëson se nuk ka qenë në dijeni për një kundërshtim kaq të madh ndaj Albin Kurtit dhe disa të tjerëve.
Duke e komentuar përplasjen e fundit në këtë organizatë, Thaçi në një intervistë për Gazetën Express tregon se sa humb ky subjekt politik nga ky skandal dhe a ishte i pritshëm qëndrimi i mbrëmshëm i kryetarit Visar Ymeri, i cili dukshëm doli kundër kandidimit të Albin Kurtit për të parin e partisë. “Ky është një problem i madh dhe cenim i parimit për t’u zgjedhur dhe kandiduar për kryetar partie andaj mendoj se ky është problem. Ishte normale edhe reagimi i njerëzve brenda VV-së”, thotë nder tjerash Thaçi.
Express: Z.Thaçi, ju s’e keni fshehur kurrë, përkundrazi e keni shprehur me shumë krenari, përkrahjen ndaj Vetëvendosjes, përkatësisht ish-liderit të saj, Albin Kurtit. Këtë e keni manifestuar edhe më bindshëm në një letër publike adresuar z. Kurti. Në atë letër, ju i keni kërkuar Kurtit, ndër të tjera, të distancohet nga dhuna, do të thotë grupacionet brenda VV-së që po prodhojnë dhunë. Nëse jo, të largohet ai vetë. Asnjëra nga këto deri më tash nuk kanë ndodhur. Përkundrazi, rasti i fundit me Aida Dërgutin ka gjeneruar një klimë edhe më të rëndë brenda vetë VV-së. E prisnit këtë?
Thaçi: Unë kam pas informata shumë sipërfaqësore që ekzistojnë disa fërkime aty, por nuk kam pas dijeni dhe ende vazhdoj mos me qenë i informuar për krejt dallimet edhe fërkimet dhe arsyet e motivet e të këtyre dallimeve, normalisht që nuk e kam prit të ndodh kjo përçarje dhe mënyra se si ka dalë në publik. Për shkak se nuk kam besuar që ekziston një kundërshti kaq e madhe aty në mes të disa personave karshi Albinit dhe të tjerëve, d.m.th ka qenë e papritur për mënyrën se si ka dalë më shumë sesa për dallime sepse pothuajse të gjithë e kanë ditë që ka dallime dhe mos pajtime.
Express: A e dinit se veç kishte ndodhur fyerja e Aida Dergutit, kur ju i shkruat letër Albin Kurtit?
Thaçi: Jo absolutisht, jo në fakt, kur unë e kam shkruar letrën ka dalë lajmi që Albini është arrestuar, që rezulton se ai komunikim ka ndodh pas asaj dhe logjikisht kjo është e pamundur.
Express: Së fundmi, një anëtar i PDK-së në Prishtinë tha se Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu janë në përpjekje për ta rrëzuar Albin Kurtin nga Vetëvendosje, e besoni këtë?
Thaçi: Unë nuk mundem të spekulojë, përveç me nxjerr ndonjë konstatim të bazuar në logjikë. Është një fakt i rëndësishëm që çuditërisht askush nuk po e përmend, pra njeri më ma shumë pushtet në institucionet e Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes është Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës, pra është njeriu që ka më se shumti pushtet në institucione pikërisht për shkak të njerëzve nga VV-ja, pra është njeri të cilit i është dhënë më shumë hapësirë. Nuk po e kuptoj pse njerëzit e pozicionojnë pa fol vetë Shpendi për pozicionim në njërin krah ose tjetrin, pra njeriu që ka më së shumti pushtet ne institucione publike është Ahmeti dhe si është e mundur që të mos ketë hapësirë nga VV-ja kur ai është në këtë pozitë. Nuk besoj se ka ndonjë arsye të del kundër Albinit, por nga ajo që pamë mbrëmë nga deklarata e Visar Ymerit, del të jetë se nuk është fjala kundër ose pro Albinit por është për t’u vendosur ose pozicionuar kundër një parimi esencial demokratik, pra a ka të drejtë të kandidojë secili për kryetar të një subjekti politik, pra kjo është dilema jo kundër ose pro Albinit, por kundër ose pro këtij parimi.
Express: Deklarata e mbrëmshme e Visar Ymerit ku ai paraqitej dukshëm kundër Albin Kurtit, nxiti edhe më shumë reagime brenda anëtarëve të kësaj partie. A e prisnit këtë qëndrim të Ymerit?
Thaçi: Unë dhe njëherë po e përsëris, nuk është kurrgjë problematike me qenë kundër Albin Kurtit absolutisht, me qenë kundër Albinit, të argumentosh kundër tij me mënyra e procedura, rregulla të lejuara pra asgjë s’ka kundër, problemi është se aty ishte një absurditet sepse në njërën anë kryetari Ymeri kërkon demokratizim të mëtutjeshëm të subjektit politik e nga ana tjetër i kërkonte një anëtari të këtij subjekti pra Albinit që të mos i lejohet mundësia për kandidim. Ky është një problem i madh dhe cenim i parimit për t’u zgjedhur dhe kandiduar për kryetar partie andaj mendoj se ky është problem edhe ishte normale edhe reagimi i njerëzve brenda VV-së. Dhe për më tepër, që këtë moskandidim nuk e arsyeton me asgjë më asnjë, arsye e motiv por thjeshtë duke e kërcënuar ose shantazhuar se disa do të largohen nëse ai kandidon.
Express: Sipas jush, a ishte jodemokratike sjella e vetë aktivistëve të Vetëvendosjes ndaj Aida Dërgutit veç për shkak të fyerjes që ia bëri Albin Kurtit?
Thaçi: Në parim, nuk diskutohet kundër çdo fyje, sharje ndaj kujtdo qoftë, pra insistoj që fyerje ma e madhe që mund t’i bahet fyesit është vetë fyerja që ai i bën dikujt tjetër, pra jam kundër çdo fyerje e kërcënimi, përbuzje, cenim të dinjitetit edhe në këtë rast jam kundër, por këtu në rrafshin praktik është problematik për shkak se ka dal një skandal qe ka qenë i papritur për të gjithë posaçërisht edhe për aktivistët. Po ashtu reagimi ka qenë emocional pasi rrjetet sociale e dini që janë një mekanizëm vështirë i menaxhueshëm. Gjithsesi fushata të tilla fyese ndaj kujtdoqoftë duhet me u ndal edhe vetë udhëheqësit e VV-së të bëjnë thirrje që të ndalen kërcënimet. Natyrisht që duhet të ketë dhe akuza, por të mbështetura.
Express: Si e shihni dorëheqjen e Aida Dergutit nga çdo post të cilin e kishte në Vetëvendosje?
Thaçi: Personalisht nuk e di çka të them, besoj që ajo ka vepruar sipas gjykimit të vetë. Ka konsideruar se për shkak të atij skandali që doli në publik dhe në momentin kur doli ka menduar që kjo është me mira, që të jap dorëheqje. Në parim ndoshta mendoj që ka vepruar drejt.
Express: Kush humbi më së shumti nga e gjithë kjo përplasje dhe a do të ndikojë në rënien e Lëvizjes Vetëvendosje?
Thaçi: Kush ka humb nuk mundemi me ditë ende, nuk është e qartë situata, nuk dihet si do të rrjedhin gjërat në VV, si do të shkojë në fund kjo problematikë. Konsideroj se ajo që duhet të ndodh është se VV nuk duhet të simulojë demokraci por të realizojë demokraci. Duhet që palët që kanë mospajtime për çfarëdo lloj natyre, tash i kanë zgjedhjet për kryetar të subjektit politik, duhet të kandidojnë me kandidatët e tyre me platformat e tyre, t’i nënshtrohen procesit demokratik të sigurohet që zgjedhjet do të jenë fer, demokratike, pa interferenca nga asnjëra palë dhe pastaj kushdo që fiton normalisht humbësi duhet të pajtohet ta ndjek pas fituesin ose mund edhe të largohet. Tani pa u përfunduar ky proces nuk e dimë a humbe vetëvendosje nga kjo apo jo, e nuk e dimë kush humb dhe sa humb.
Express: Pse, edhe Vetëvendosje shkoi rrugës së njëjtë me partitë e tjera; me të marrë titullin e partisë më të madhe parlamentare, filluan përçarjet?
Thaçi: Mund të ketë motive të ndryshme. E keqja është se neve si publik nuk na janë ofruar informata të mjaftueshme për me pas mundësi të konstatohen se cilat janë motivet e kësaj papajtueshmëri. Ne mundemi veç të gjykojmë në bazë të informatave shumë të mangëta për arsye. Por për aq kohë sa kemi një kushtëzim për moskandidim të një personi konkret në këtë rast Albin Kurtit pra këtu vështirë se mund të themi që bëhet fjalë për dallime konceptuale politike ideologjike. Këtu bëhet fjalë me siguri për inate që dikush ka ndaj dikujt e që mbrapa këtyre inateve me siguri mund të jetë dëshira, egoja dhe nevoja për pushtet sepse nuk mund të projektojë motiv tjetër për gjithë këtë.