Thaçi ka dy fjalë për letrën nga burgu të Albin Kurtit
Publicisti Jusuf Thaci ka komentuar letrën nga burgu të Albin Kurtit.
Ai në një shënim në Facebook ka theksuar se nëse këto që i ka thënë Kurti në letër do të zbatohen, atëherë VV do të jetë së shpejti në krye të qeverisë.Shënimi i plotë:
Nga të gjitha ato që paska thënë Albini, fragmentet e mëposhtme të letrës së tij më duket gjërat më të rëndësishme. Nëse këto zbatohen nga LVV, atëherë është e sigurt që LVV së shpejti do të qeverisë me Kosovën dhe, çfarë është më e rëndësishmja, do të qeverisë mirë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka nevojë për shumë më tepër transparencë, për shumë më tepër llogaridhënie.Demokraci kudo dhe tërë kohën. Demokraci pa hakmarrje.Kemi aq shumë potencial. Në mesin e rreth 30 mijë anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! së voni mësova se janë 580 juristë; ne kemi qindra ekonomistë, qindra inxhinierë, qindra mjekë në VETËVENDOSJE!.
Fatkeqësisht, ata i kemi thirrur shpesh për trupat e tyre në protesta e tubime, por jo aq edhe për trurin e tyre në mbledhje e takime. Nga pikëpamja e organizatës, anëtari ynë është veçse banor në territor e jo edhe qytetar me profesion. Kjo besoj se duhet ndryshuar.
Dhe, duhet t’i hapim portat e organizatës për njerëzit e dijshëm e të ndershëm të vendit e të Lëvizjes që duan të kontribuojnë. Pra, më shumë dije dhe nder, jo vetëm guxim. Sepse guximi pa dije dhe pa nder bëhet arrogancë e zullum.Për dekadën e dytë të Lëvizjes sonë, reforma organizative, me platformë diskutimi, me kritikë dhe vetëkritikë, është vendimtare.”