“Terra Nostra Azem Syla”

  21 Dec 2017

Në këtë aksion morën pjesë 350 policë vendorë e ndërkombëtarë dhe u bastisën 42 lokacione lidhur me 40 të dyshuar.

Shënjestër e këtij aksioni ishte edhe shtëpia e ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe njërit nga figurat më të fuqishme të kësaj partie, Azem Sylës, të cilësuarit nga prokurori italian si kreu i një grupi të organizuar kriminal që filloi veprimtarinë e tij nga viti 2006 e deri në ditët e sotme.

Hetimet ndaj 40 të dyshuarve kishin filluar më 30 prill të vitit 2014, ndërsa aksioni i bastisjeve dhe arrestimeve i prillit 2016 përfundoi me 6 persona nën pranga.

 

Azem Syla nuk u gjet në shtëpinë e tij, por iu dorëzua Policisë së Kosovës dy ditë pas aksionit të 27 prillit.

Si pjesë e grupit përveç Azem Sylës, sipas prokurorisë, është edhe Shaban Syla, Fahredin Gashi e Shpresim Uka të dënuar në rastin “Bllaca 2” dhe ish-kreu i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka që ishte pjesë e disa proceseve tjera gjyqësore.

 

Sipas prokurorisë, Azem Syla që gjatë luftës mbajti nofkën “Daja”, ishte themelues i një grupi të cilit jepte urdhra nga një kënd i një restoranti pranë Fakultetit Teknik në Lagjen “Kodra e Diellit” të Prishtinës.

Prokuroria pretendon se grupi që e udhëhiqte “Daja” privoi Kosovën nga disa prona shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimet korruptive.

Dëmet që iu shkaktuan Kosovës nga ky grup, sipas prokurorisë, janë milionëshe.

Aktakuza dhe procesi ndaj “Dajës”

Hetimi i filluar në vitin 2014 e i pasuar me aksionin e bastisjeve, arrestimin 6 personave dhe vetëdorëzimin e Azem Sylës n]ë polici, vazhdoi me fazën finale të hetimit.

Me kërkesë të prokurorit të rastit Danilo Ceccarelli, u caktuan dhe u mbajtën 20 seanca të mundësisë së veçantë hetuese. Seancat e tilla mbahen në fazën e hetimit kur ekziston rreziku se dëshmitë mund të jenë vështirë të qasshme në një fazë të mëvonshme të procedurës.

Dy dëshmitarë të mbrojtur të koduar me numrat 1 dhe 2 u dëgjuan e u pyetën nga prokurori, avokatët dhe të dyshuarit, ndërsa prokurori Ceccarelli kishte paralajmëruar se do në ngre aktakzuë.

Pasi e shfrytëzoi edhe 6 mujorin e fundit të afatit të hetimeve, ky prokuror realizoi paralajmërimin e tij, duke ngritur dy aktakuza ndaj 39 personave. Grupi i parë ku bën pjesë edhe Azem Syla dhe 21 të tjerë u akuzuan për krim të organizuar, mashtrim e vepra të tjera të rënda.

Prokurorit Italian të EULEX-it i janë dashur 264 faqe aktakuzë për të pretenduar se ka argumentuar që grupi i drejtuar nga Azem Syla është njëri nga grupet më të mëdha kriminale që ka ekzistuar ndonjëherë në Kosovë.

 

Aktakuza të cilën KALLXO.com ekskluzivisht e solli në disa vazhdime, tregon se Syla e përdori pensionin që merrte nga Zvicra për të organizuar takimet nme grupin që drejtonte në restorantin në Prishtinë dhe takimet e këtij grupi me qytetarët serbë të vendeve ku u tjetërsuan ish-pronat shoqërore.

Në një kënd të atij restoranti në “Kodër të Diellit”, “shtabi” i grupit i prirë nga Azem Syla jepte urdhra, instruksione e udhëzime për anëtarët tjerë të këtij grupi, përshkruhet në aktakuzë.

 

Në fakt, aktakuza thotë se në këndin e këtij restoranti qëndronte ulur Azem Syla, ndërsa bashkëbiseduesit në tavolinë ndërroheshin, varësisht prej urdhrave që ata merrnin.

Përveç Azem Sylës, në këtë aktakuzë janë të përfshirë edhe Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Hajrullah Berisha, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrahman Brajshori, Ilaz Syla, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Shqipe Maxhuni, Elheme Uka, Shqipe Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj dhe Mustafë Haliti.

Në pikën e parë të aktakuzës përfshihen Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Hajrullah Berisha, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrahman Brajshori, Ilaz Syla, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Nuhi Uka dhe Sabedin Haxhiu.

Aktakuza grupin e “Dajës”, e përshkruan si “një nga më aktivët, më të strukturuarit, më të organizuarit për nga hierarkia, më solidët dhe më jetëgjatët në historinë e Kosovës”.

Në aktakuzë në mënyrë të detajuar përshkruhet roli dhe veprimtaria e secilit prej anëtarëve të pretenduar të grupit.

Në aktakuzë Prokurori ngre hipotezën se paratë të cilat Azem Syla i kishte përfituar nga sigurimi social në Zvicër mund të jenë përdorur nga grupi për të financuar aktivitetin e tyre.

“Në vitin 2012, Prokuroria e Zvicrës kishte adresuar një kërkesë te Ministria e Drejtësisë së Kosovës për ndihmë juridike ndërkombëtare ku shkruhej se Azem Syla kishte marrë një ndihmë sociale në vlerë prej 480 mijë frangash në mes gushtit 2002 dhe janarit 2011 si formë kompensimi për problemet e tij mendore,” thuhet në aktakuzë.

Në faqen 81 të aktakuzës prokurori ngre dilemën se si njëri nga njerëzit me influencë të lartë politike, anëtar i partisë me ndikim dhe hero i luftës në Kosovë ishte i njohur si person me probleme mendore në Zvicër.

Prokurori pretendon se ka siguruar prova se në nisje të biznesit të tokave paratë e para kishin ardhur nga Azem Syla.

Në aktakuzën e saj voluminoze, Prokuroria Speciale gjithashtu pretendon se ish-komandanti i UÇK-së Azem Syla ka blerë një banesë në Lagjen “Pejton” dhe një veturë Xhip ML me paratë nga shitja e pronave të serbëve në Çagllavicë.

Siç përshkruhet në faqen 155 të aktakuzës, njëri nga dëshmitarët e rastit i ka rrëfyer prokurorisë se paratë e fituara prej shitjes së pronave të familjes Simiq të cilat ishin shitur rreth 155 mijë euro ishin përdorur për të blerë një banesë në “Pejton” dhe një veturë Mercedes ML për Azem Sylën, përderisa dy anëtarët e tjerë të grupit Shaban Syla e Shpresim Ukaj blenë makina të tjera përfshirë një BMW X5 me këto para.

 

Aktakuza tregon se grupi i udhëhequr nga Azem Syla vazhdoi aktivitetin e tij edhe pas burgosjes së disa prej anëtarëve duke përdorur telefona brenda burgut të Dubravës, e po ashtu duke përdorur familjarët për të komunikuar dhe aranzhuar shitjen e pronave.

Verdiktet dënuese në rastet “Bllaca 1” dhe “Bllaca 2” kishin ndikuar në aktivitetin e grupit të Azem Sylës. Paraburgosja dhe arratia e disa prej anëtarëve të cilët ishin dënuar në këto raste nxiti metoda të reja të komunikimit, duke i shmangur tashmë takimet e zakonshme në lokalin në lagjen “Kodra e Diellit”.

 

Megjithë pretendimet e prokurorit Cecarrelli, “Daja”, nuk është zmbrapsur. Ai në deklaratën e tij në prokurori ka mbrojtur qëndrimin se aktiviteti i tij jetësor dobi i solli vetëm Kosovës.

Në deklaratën e tij para prokurorit, Azem Syla ka thënë se tërë aktiviteti i tij jetësor ka qenë tentativë për ta ndihmuar popullin dhe “për të krijuar një shtet ku respektohet ligji dhe rendi”.

 

Syla mohoi se ndonjëherë është marrë me biznesin e patundshmërive.

“Daja”, pafajësinë e tij e ka paraqitur edhe në seancën e tij fillestare, ku pasi dëgjoi prokurorin tha se ndihet i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës që rëndojnë mbi të.

 

Për dallim nga fazat e hetimit ku për mbrojtjen e “Dajës” u përkujdes avokati Tomë Gashi, në seancën fillestare këshillat juridike “Daja” i pranoi nga avokati Besnik Berisha.

Procesi gjyqësor ndaj Azem Sylës dhe 21 të tjerëve është në fazën fillestare dhe tani mbrojtja e të akuzuarve ndodhet në procesin e përgatitjes së kundërshtimeve juridike ndaj aktakuzës.

Ky gjykim është njëri nga gjykimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës ku të përfshirë përveç “Dajës”, janë edhe ish-kreu i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, e të tjerë që mund të klasifikohen tek “Peshqit e mëdhenj”.

Ky rast përbën njërën nga orvatjet kryesore të EULEX-it për të arsyetuar misionin e tij para qytetarëve të Kosovës, e njëkohësisht për të rikthyer besimin në sistemin e brishtë të drejtësisë së Kosovës, pikërisht për forcimin e të cilit EULEX-i ka ardhur në Kosovë.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” paraqiti ekskluzivisht pamjet e gjithë aksionit të 29 prillit të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës që nga hartimi i planit operativ e deri në përfundim të tij.

 

Gjithashtu KALLXO.com në vazhdimësi raportoi lidhur me çdo zhvillim të këtij rasti duke përfshirë edhe një seri shkrimesh ekskluzive pas ngritjes së aktakuzës ndaj Sylës dhe të tjerëve.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.