Te Henen aktgjykimi per vrasjen e trefishte ne Prizren
Sot u dha fjala përfundimtare në gjykimin për vrasje të trefishtë në Prizren ku të akuzuar janë babë e bir, Eshref dhe Ejup Shemallari.
Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Genc Nixha ndryshoi aktakuzën sa i përket të akuzuarit Ejup Shemallari, nga vrasja e rëndë në bashkëkryerje në veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë. Po ashtu, prokurori hoqi dorë ndaj Ejup Shemallarit për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Prokurori kërkoi në fund që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Eshref Shemallari, avokati Mahmut Halimi, në fjalën përmbyllëse para trupit gjykues tha se jetët e tre personave të ndjerë kanë mund të shpëtohen dhe të mos vije deri te vrasja, nëse organet e ndjekjes do të kishin vepruar në kohë.
Avokati Halimi, tha se tre të ndjerit disa herë i kanë shqetësuar të akuzuarit dhe Eshref Shemallarit i kanë shkaktuar edhe lëndime të rënda trupore.
Por, sipas tij, organet hetuese kanë dështuar të veprojnë në kohë.
Halimi, tha po ashtu se ditën kritike të akuzuarit kishin dalë për të marrë gjëra ushqimore për familjen, ndërsa njëri ndër ta, Eshref Shemallari, kishte marrë me vete edhe armën.
Avokati tha se gjatë rrugës, Eshrefi kishte ndaluar për të pyetur frizerin për termin, ndërsa aty ishin ofruar të ndjerët dhe i kishin thënë “a don me të zbutë hala, a don me ta zbutë djalin?”.
Ky, tha Mahmut Halimi, kishte qenë moment që Eshrefi kishte nxjerrë pushkën që e kishte në bagazh të veturës të cilën e drejtonte Ejupi dhe kishte shtënë mbi të ndjerët.
Avokati Mahmuti, përmendi se tre të ndjerët edhe sipas raportimit të mediave, e edhe në bazë të dokumentacionit kishin qenë persona të njohur për organet e rendit për të kaluarën e tyre kriminale.