Publicisti Veton Surroi, përmes një shkrimi të publikuar ka folur për ofendimet e kërcënimet që ka pranuar pas postimit në Facebook ku ka thënë se Opera e Kosovës duhet të transferohet në Skenderaj.
Ai ka thënë se postimi i tij në Facebook Teatri e Opera në Skenderaj” u denjua me dy komente që shpjegonin se si në Skenderaj ka artistë, rrjedhimisht do të ishte e natyrshme që aty të ndërtohen këto salla, dhe me qindra komente të tjera që tashmë ishin asortiment fyerjesh e sharjesh, një valë rrugaçërie e digjitalizuar, raporton Gazeta Blic.
Surroi ka shtuar më tej duke thënë se reagimet e shumta që janë bërë sjellin dy lajme një të mirë e një të keq, lajmi i mirë është se nuk jemi vetëm, se një dhunim i këtillë i hapësirës publike po bëhet në SHBA. Tashmë është vërtetuar nga FBI-ja dhe nga pjesë të tjera të komunitetit të inteligjencës, se Rusia e Putinit e përdor Facebookun për të “zap’uar” një pjesë të sferës publike, me qëllime krejtësisht të identifikueshme prej Habermasit para 50 vjetësh, pra “për të legjitimuar autoritetin në çfarëdo demokracie funksionale”.
Ndërsa lajmi i keq është se Njësiti i PDK-së (apo i një pjese të saj) që merret me zaptimin e sferës publike është treguar i aftë të shkojë hap më hap me atë rus, ndonëse me një gjuhë dukshëm më vulgare dhe me mungesë sofistikimi të demonstruar prej rusëve. Dhe sikur rusët, edhe këta kanë prodhuar një numër profilesh të rrejshme, por, dhe ky është lajm edhe më i keq, një numër shumë i madh i profileve është i vërtetë.