fbpx

Supremja godet PDK’në

  06 Dec 2017

Partia Demokratike e Kosovës hudhi akuza për ndikim të gjyqtarëve ne vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me ankesat për Prizrenin, duke përfolur edhe emrin e gjyqtarit Erdogan Haxhibeqiri.

Por me këtë rast ka reaguar Gjykata Supreme, të cilët kanë thënë se hudhin poshtë këto pretendime dhe kanë sqaruar se gjyqtari Haxhibeqiri, të cilin e përfoli PDK’ja, nuk ka qenë pjesë e kolegjit gjyqësor për këtë rast, shkruan gazetametro.net.

‘Në këto pretendime, apostrofohet edhe gjyqtari i Gjykatës Supreme, Erdogan Haxhibeqiri, dhe familja e tij, duke cenuar kështu privatësinë e gjyqtarit dhe familjes së tij, në përpjekje që të ndikohet në vendimet e Gjykatës Supreme. Sqarojmë opinionin publik se gjyqtari Erdogan Haxhibeqiri, nuk ka qenë fare pjesë e kolegjit gjyqësor, kur është vendosur për ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për rinumërim të votave në Prizren’, thuhet në reagimin e Gjykatës.

Po ashtu, aty bëhet e ditur që gjykata nuk do të bie pre e kërcënimeve dhe shantazheve nga asnjë subjekt politike.

‘Sqarojmë opinionin publik se Gjykata Supreme, nuk do të bjerë pre e asnjë kërcënimi as shantazhi direkt apo indirekt, nga cilido subjekt politik, grup apo individ’, thotë më tutje Supremja.

Ndërkohë, ata kanë bërë thirrje që sulmet e tilla verbale të ndalen dhe të respeketohet pavarësia e gjyqtarëve dhe organeve të drejtësisë.

Ndryshe, çështja e ankesave për Prizrenin është diskutuar mjaft shumë, pasi PDK’ja po pretendonte për disa parregullsi, në bazë të të cilave kërkoi edhe rinumërim.