Sot e shan, por ja çfarë lavdesh thurte dikur Arbana Xharra për Veton Surroin (Foto)

  13 Nov 2017

 

Anëtarja e PDK-së, Arbana Xharra është hedhur në sulme të shpeshta ndaj publicistit Veton Surroi për qëndrimet e tij.

Fillimisht Xharra reagoi me pezm ndaj dy statuseve të Veton Surroit, i cili ironizoi me Drenicën e Skenderajn, në valët e debatit për ndërtimin e stadiumit qendror të Kosovës.

Pas propozimeve të njëpasnjëshme të njerëzve se ku të ndërtohet stadium, Surroi ironikisht shkroi në Facebook, duke thënë se edhe Opera e Teatri mund të ngriten në Drenas.

Pas kësaj reagoi vrullshëm Xharra, duke përdorur etiketime ndaj Surroit, si “fashist”, “egoist”, “i sëmurë” etj., sikur ajo të brengosej vërtetë mbi dukuritë e konceptet që i përdori me lehtësi, shkruan Periskopi.

Sulm ndaj Surroit lansoi edhe sot Xharra me një shkrim autorial me titullin “Fashizmi i Vetonit dhe “raca drenicase””, në Gazetën Express.

Nga ajo që ka shkruar, Xharra duket se kundërvënien ndaj Surroit e ka për mënyrën se si KTV kishte raportuar kur ajo kishte aderuar në PDK. Dihet se Surroi është pronari i Koha Group.

Por, këtë urrejtje e këtë mendim për Surroin Xharra nuk e kishte gjatë kohës kur ajo nuk ishte pjesë e PDK-së dhe bënte gazetari.

Në rrjetet sociale është publikuar një fotografi e Xharrës që ishte publikuar në vitin 2014, ku Xharra lavdëronte librin e Surroit “Këmbët e Gjarprit”.

“Përshkrim fenomenal” i quante rreshtat e Surroit, i cili librin më së shumti ia dedikonte Hashim Thaçit, derisa publikonte citate nga libri.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.