fbpx

SKANDALOZE:FALIMENTON TREPÇA!

  15 Dec 2017

Drejtuesit e tashëm dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Kombinatit ” Trepça” në Mitrovicë alarmojnë se ndërmarrja mund të falimentojë. Ata shtojnë se për rënien e prodhimit janë të njoftuara të gjitha institucionet kompetente, por që nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret për daljen nga kjo situatë. Nga përfaqësuesit e këtij kombinati thuhet se zvarritjet që i janë bërë zbatimit të Ligjit për “Trepçën”, konsiderohet se kanë sjellë humbje të mëdha, si dhe nuk është arritur të fillohet me politikat zhvillimore. Analistët thonë se pa u zgjedhur bordi i ri nuk mund të fillojnë procedurat për t’u regjistruar “Trepça” si ndërmarrje publike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Drejtori i kombinatit, Ahmet Tmava, për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se, përveç rënies së prodhimit, edhe mosfunksionalizimi i Ligjit për “Trepçën” ka sjellë vështirësi të mëdha edhe të funksionimit si ndërmarrje. “Kombinati ‘Trepça’ është në fazën e mbijetesës me probleme të mëdha, por mbesim me shpresën se gjërat do të lëvizin shpejt. Problemet shëndetësore të punëtorëve, mosha e shtyrë, si dhe mungesa e investimeve po sjellin probleme, andaj edhe për momentin statusi i ‘Trepçës’ është i paqartë”, u shpreh ai.

Image
Keqpërdorime dhe keqmenaxhim

Lideri i Sindikatës së kombinatit ” Trepça”, z. Shyqyri Sadiku, për gazetën”Kosova Sot”, ka njoftuar për gjendjen e tashme që mbretëron në kombinatin “Trepça”, duke sqaruar se prodhimi ka rënë në nivel shumë të ulët. “Aktualisht, gjendja në kombinatin ‘Trepça’ nuk është aspak e volitshme dhe kjo po ndodh si pasojë e mosformimit të Bordit mbikëqyrës, keqmenaxhimit, keqpërdorimet dhe mosdisiplina në punë. Vetëm në nëntëmujorin e parë të këtij viti kemi prodhim më pak për 30 për qind krahasuar më vitin paraprak”, potencoi ai. “Po qe se do të vazhdohet me vonesat në përzgjedhjen e Bordit mbikëqyrës, ‘Trepça’ do të shkojë drejt falimentimit. Të gjitha institucionet kompetente janë njoftuar për rënien e prodhimit në kombinatit ‘Trepça’, por është për keqardhje që deri më tash nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret për daljen nga kjo situatë”, vijoi më tej Sadiku. Sipas kryesindikalistit, kombinati “Trepça” llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Ai sqaron se në vitet e fundit të pasluftës ky kombinat kaloi në fazën e mbijetesës dhe nga mbi 20 mijë punëtorë sa kishte në të kaluarën, “Trepça” numëron aktualisht rreth 1.400 punëtorë.

MZHE-ja mohon rreziqet

Zyrtarja për informim e MZHE-së, Fitore Ajeti, në një përgjigje të dhënë për gazetën “Kosova Sot”, tha se janë të kuptueshme shqetësimet dhe kërkesat për riaktivizim sa më të shpejtë të ‘Trepçës’.”Mirëpo, nuk ka asnjë arsye për shqetësim, apo frikë nga falimentimi i ndërmarrje publike “Trepça”. Ajo është shpëtuar nga ky rrezik në momentin e miratimit të ligjit përkatës. Është e vërtetë se ka vonesa në implementimi e ligjit, mirëpo Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ndërmarrë të gjitha veprimet që ka në përgjegjësi, ashtu që sa më parë brenda afateve ligjore të konstituohet Bordi i ‘Trepçës’ dhe të vazhdojnë të gjitha procedurat që ndërlidhen me organizimin, konstituimin dhe funksionalizimin e ndërmarrjes”, u shpreh ajo.”Nuk e mohojmë faktin se ndërmarrja është duke kaluar nëpër një proces mjaft të rëndë, por edhe shumë të rëndë- sishëm, por aktualisht ‘Trepçës’ nuk i kanoset asnjë rrezik. Prandaj, zërat se ajo mund të falimentojë janë të pabazë dhe pa asnjë argument. Pra vonesat e zvarritjet janë të mëhershme”, vijoi më tutje zëdhënësja Ajeti.”Nëse kemi të bëjmë me zvarritjet, atëherë duhet analizuar edhe historinë e tyre. Ministri Valdrin Lluka, që nga emërimi në këtë post, në mesin e çështjeve me prioritet të lartë ka pasur edhe ‘Trepçën’. Për këtë arsye, falë përkushtimit që ai ka treguar, procesi ka nisur të lëvizë, madje një vit pas miratimit të ligjit. Procedurat do të rrjedhin sipas afateve të përcaktuara me ligj”, theksoi ajo.

Image
Institucionet neglizhuese

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot” tha se institucionet kosovare janë të informuara rreth problemeve të gjigandit ‘Trepça’, por nuk është askush duke e qarë kokën për këtë punë, ngase politikanët janë të fokusuar vetëm pas interesave klanore e politike.”Ka interesa personale të dikujt që ka synim primar për ta shkatërruar kombinatin që dikur ishte krenaria e kombit. Dhe e tëra kjo po bëhet për interesa politike edhe interesa ekonomike, të njerëzve që thuajse i kanë falimentuar të gjitha ndërmarrjet publike dhe mision e kanë edhe ‘Trepçën’ për ta falimentuar”, potencoi ai. Ndërsa analisti Mustafë Kadrijaj, për gazetën “Kosova Sot” tha se zhvatja dhe eksploatimi i ndërmarrjeve në mënyrë të vrazhde që nga paslufta është bërë pa pikë mëshire.”Me këtë dëmtim që u është bërë ish-Ndërmarrjeve Publike, në këtë rast edhe ‘Trepçës’, që ishte krenaria ekonomike e Kosovës, i kanë kthyer këto NP në një barrë buxhetore që kjo është një paradoks që nuk ka logjikë ekonomike. Përkundër disa tentimeve që të zgjidhet problemi i ‘Trepçës’, ku në legjislaturën e fundit u bë edhe Ligji për ‘Trepçën’ përkundër presionit të Listës Serbe me ndikim nga Beogradi, por për fat jo të mirë ai ligj si shumë ligje mbeti në letër, duke u pluhurosur në sirtarë”, theksoi ai.”Nëse punohet diçka në ‘Trepçë’, janë vetëm punëtorët, të cilët për kafshatën e fëmijëve të tyre çdo ditë heqin të zitë e ullirit në galeritë e ‘Trepçës’, pa kurrfarë kushtesh elementare”, potencoi Kadrijaj. Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, tha se ‘Trepça’ si kombinat ka qenë me vite të tëra krenaria e ekonomisë dhe popullit të Kosovës, por Qeveritë e deritanishme kanë bërë shumë pak për këtë gjigant të ekonomisë kosovar.”Qeveria duhet që të veprojë menjëherë me qëllim që të shpëtohet ky gjigant ekonomik sa nuk është bërë vonë, sepse dikush në këtë vend pret që të falimentojë dhe të shesin për shumë pak para siç kanë bërë me Ndërmarrjet tjera Publike deri më tani”, vlerëson ai. “Pres që të gjitha subjektet politike duhet të veprojnë që të funksionalizohet Bordi dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik të bëjë një strategji më të mirën nga ekspertët më të mirë dhe të fillojë që ‘Trepça’ të rimëkëmbet, sepse është aseti më me vlerë në Republikën e Kosovës”, potencoi Neziraj. Sipas tij, nëse deri më tani ka pasur neglizhencë dhe papërgjegjësi në Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike është koha e fundit që krerët e shtetit të veprojnë në të mirë të qytetarëve të vendit dhe për gjigantin ‘Trepça’ të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme