fbpx

Skandaloze: Qytetarët zhvaten nga udhëheqësit e stacionit të autobusave!!!

  27 Sep 2017

Që nga data 18 shtator ka filluar shitja e biletave digjitale në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë në vlerë 0.10 cent për çdo udhëtarë, mirëpo kjo nuk është pritur aspak mirë nga pala e kompanive të autobusëve e po ashtu edhe nga ana e qytetarëve.

Pronarët e autobusëve të cilët kanë linja përreth Kosovës ditë më parë protestuan para Stacionit të Autobusëve kjo për të kundërshtuar vendimin e menaxhmentit të Stacionit të Autobusëve që udhëtarët të paguajnë brenda sporteleve.

Drejtori i Stacionit të Autobusëve, Ylber Çitaku ka thënë se një numër i madh i operatorëve transportues të udhëtarëve po refuzojnë biletat digjitale të paguar në sportelet brenda stacionit si shkak i interesave të tyre personale.

“Që nga data 18 shtator 2018 kemi filluar me shitjen digjitale të biletave për udhëtarë. Një numër i operatoreve transportues te udhëtareve po e refuzojnë biletën digjitale duke gjetur arsyetime prej më të ndryshmeve, në implementimin e këtij projekti për faktin se ky sistem vë rend dhe rregull për të gjithë në kuptim të pagesave dhe obligimeve që kemi ndaj shtetit, konkretisht pagesa e TVSH-së. Në  pamundësi për të implementuar këtë projekt në mungesë të mbështetjes nga institucionet si komuna e Prishtinës po edhe institucionet qeveritare ne rrjedhimisht kemi qene të shtrënguar të aplikojmë një tikete me barkod në kundërvlerë prej 0.10 eurove në mënyrë që qytetaret të dalin përmes portave – tripodeve. Pasi që kompanitë refuzuan të marrin bileta të 0.20 euro  për interesa të tyre kemi qenë të detyruar që tu shesim ose tu japim bileta prej 0.10 eurove që të kalojnë në platformë”, ka thënë ai.

Çitaku tutje ka shtuar se udhëtarët nuk janë duke i ikur obligimeve të këtij projekti të ri, duke përmendur edhe evitimin e kombibusave ilegal.

“Ndërsa sa i përket ikjes së udhëtarëve kjo gjë nuk qëndron  për faktin se numri i udhëtarëve akoma qëndron mirë, ndërsa është evituar një dukuri si pritja e udhëtarëve që udhëtojnë për Mitrovicë dhe Skenderaj ,autobusin , kombibusët dhe taksitë ilegal tek ura nën rrethrrotullim ose te rrethrrotullimi në dalje për t’u drejtuar për Ferizaj”, është shprehur i shqetësuar ai.

Po ashtu Çitaku theksoi se shumica e kompanive e kanë mirëpritur  por një numër  i kompanive  për interesa të tyre personale kanë rezistuar dhe kanë bërë që ky projekt tani për tani të ketë vështirësi   dhe të ballafaqohet me vështirësi .

Mirëpo Çitaku gjithashtu përmendi se kryetari aktual Shpend Ahmeti para tri viteve pati premtuar këtë formë digjitalizimi por tash Ahmeti ishte interesuar që këtë proces ta kalojë në heshtje.

“Në fakt kryetari aktual Shpend Ahmeti  para tri viteve ka  programua shtypjen digjitale të biletave  por ajo në atë kohë  ka qenë  një iniciativë e mirë  por në të njëjtën kohë ka qenë një mashtrim  sepse nuk ka pas  as projekt e as mundësi të pikës digjitale. Menaxhmenti i tanishëm  ka implementuar  këtë projekt duke  kaluar nëpër të gjitha procedurat  madje ka ndërmarrë edhe  vlerësim për  projekt në zyrat kompetente të komunës  por kur ka ardhë puna tek implementimi Shpend Ahmeti është interesuar që këtë problem këtë proces ta kalojë në heshtje  në mënyrë që mos të del në pah  që u ka bërë qytetarëve para  tri viteve. Stacioni i autobusëve ka bërë kërkesë  në organet kompetente për të kërkuar leje dhe leja është marr sipas procedurave të rregullta. Në fakt qytetari po dëmtohet me 10 centin për faktin se kompanitë  dhe institucionet përgjegjëse nuk po i kryejnë  detyrimet e veta  dhe nuk po merren me çështjen e tatimit që e kemi obligim ndaj shtetit”, ka thënë Çitaku.