Skandal i ri ne Universitetin e Prishtines(DOKUMENT)
Ish-dekani i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, Adem Rusinovci ka akuzuar rektorin e UP-së Marjan Dema dhe dekanin e Fakultetit të Arteve Agim Selimin, si të përfshirë në rastin e studentës Hana Zeqa, të cilës i janë vendosur nota jashtë çdo rregulli universitar dhe në kundërshtim me statusin e UP-së.
Rusinovci, pretendon se duke qenë të njoftuar me rastin si rektori Dema ashtu edhe dekani Selimi, nuk kanë qenë të interesuar ta ndalojnë një dokuri të tillë, por e kanë stimuluar atë, kështu duke ia mundësuar asaj edhe diplomimin në procedurë jo të rregullt.
Ndonëse konsideron që përgjegjësia për rastin e kësaj studentje është në mënyrë zingjirore, nisur nga referentët e deri tek rektori, fajin kryesor Rusinovci ia hedh dekanit Seilmi, i cili thotë t’i këtë thënë se e ka anuluar atë dipolomë në kohën kur ka mësuar për parregullësitë, por që një gjë e tillë ish-dekani Rusinovci pohon të mos ketë ndodhur fare.
Ky i fundit në një intervistë për “Gazeta Blic” ka rrëfyer në mënyrë kronologjike ecurinë e kësaj ngjarje, për të cilën dekanin Selimi e akuzon për falsifikim ndërsa rektorin Dema për mos reagim apo fshehje të falsifikimit.
“Ngjarja fillon me profesorin Menduh Nushi, pasi që Hana Zeqa lëndën e fotografisë III e ka pasur obligative ndërsa lëndën e fotografisë IV e ka pasur zgjedhore. Kjo ka shkuar në lëndën e fotografisë IV dhe ka kërkuar notën, dhe Menduhi i ka thënë se duhet të që të jap lëndën e fotografisë III për të kaluar atë të lëndës IV, kurse kjo studentja i thotë që e ka zëvendësuar atë lëndë me lëndën tjetër “Nudo” dhe e ka dhënë aty provimin.
Pas kësaj profesori Menduh më ka dërguar e-mail mua dhe si prodekan pasi që e verifikojmë se nota nuk është në rregull, i kam dërguar dekanit Selimi e-mail zyrtar, pasi që Sistemi Elektronik nuk njeh notë “kaloi” me status të Universitetit të Prishtinës.
Unë i them dekanit se diploma e saj është lëshuar me 124 kredi, dhe ai më thotë se kjo është anuluar. Unë kam njoftuar edhe rektorin Majram Dema për këtë rast dhe ai më ka thënë se i duhen dëshmi me shkrim dhe i kam thënë që ato i ke në atë njoftim. Por prap nuk ka ndërmarrë asgjë, ka heshtur karshi këtij rasti.
Unë kam kërkuar edhe nga zyrtari i IT-së një shpjegim se si ka pasur mundësi të vendoset nota “kaluese” por nuk kam arritur të marrë një përgjigje të qartë nga ai.
Unë kam kontaktuar edhe me profesoreshën e asaj lëndë dhe profesorin e angazhuar, por që të dy e kanë mohuar se kanë vendosur atë, mirëpo dikush duhet të ketë ndërhyrë për të vendosura atë.
Ajo që është më tragjike kur janë përshkruajtur kreditë, një notë është vendosur në shtator ndërsa studentja të drejtën për tu bërë studente e fiton në tetor, sepse ajo është regjistruar më vonesë pas një ankese që e ka bërë. Por paramendojeni, kur i marrin notat dhe ia përshkruajnë në kredi atë falsifikimin e bëjnë aq të dukshëm sa që çdo njeri normal mund ta kuptojë se nuk mundet të notohet studenti i cili statuisin e studentit e merr në tetor e nota i figuron në shtator.
Për gjithë këtë falsifikim përgjegjësia është në mënyrë zingjirore por fajin më të madh e kanë eprorët, Dekani z. Agim Selimi i cili është i obliguar që t’i ndal të këqijat, duke mos e vendosur në pozitë të keqe as rekotrin e Universitetit e askënd tejtër dhe në këtë rast, përgjegjësia më e madhe i takon atij. Pashë edhe një deklaratë të tij, ku thotë se ngjarja nuk ka ndodh gjatë kohës kur ai është zgjedhur dekan, por një gjë nuk është e vërtetë sepse ai e ka nënshkru atë diplomë, sepse çdo diplomë që nuk nënshkruhet, ku gjendjen parrëgullësi ajo bëhet publike në ueb faqen e universitetit”, ka thënë ish-dekani i Fakulteit të Arteve, Rusinovci i cili më pas ka shtuar se parregullësit e kësaj natyre të cilat kanë ndodhur kohëve të fundit në këtë fakultet e kanë detyruar atë që të largojë përgjegjësi nga vetja duke hequr dorë nga posti i prodekanit.
“Gazeta Blic” ka arritur që t’i sigurojë edhe njoftimet për rastin në fjalë të cilat janë përcjellur përmes postës elektronike nga ish-dekani Rusinovci tek dekani Selimi dhe rektori Dema.
Lidhur me rastin “Gazeta Blic” ka kontaktuar me rektorin e UP-së Marjan Dema, por ai nuk ka qenë në gjendje që të deklarohet, duke thënë se fillimisht duhet caktuar një termin për takim përmes asistentes së tij Blerta Dibrani.
Ndërkohë “Gazeta Blic” ka kontaktuar asistenten e rektorit Dema, të cilës i është kërkuar takim brenda ditës, por një gjë e tillë nuk është pranuar me arsyetimin se dita e hënë ka qenë me agjendë të ngarkuar. Megjithatë lidhur me rastin ajo ka thënë se i takon sekretari për çështje të përgjithshme Esat Kelmendi të jap një sqarim, mirëpo ky i fundit nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
I interesuar për deklarim nuk ka qenë as dekani Selimi, ai i ka thënë “Gazeta Blic” se ngjarja ka ndodhur para zgjedhjes së tij dhe se nuk ka për çfarë të deklarohet.
“Unë nuk kam se çfarë të deklarohem për këtë rast, sipas këtyre të dhënave ngjarja nuk ka ndodhur në kohën kur unë jam zgjedhur në pozitën e Dekanit, dhe nuk kam çfarë të them”, ka deklaruar ai.
Ndërsa Suad Rama, profesor i angazhuar në Fakultetin e Arteve i cili sipas burimeve të sigurta të “Gazeta Blic” brenda UP-së ka qenë ai i cili ia ka vendosur notën “kaluese” studentës Zeqa, thotë se është ende herët të deklarohet për këtë rast, duke mos e mohuar por as pohuar se ka qenë i përfshirë në këtë parregullësi.
“Tani për tani nuk mund të them asgjë për këtë rast, për ta kuptuar të vërtetën duhet të prisni edhe disa kohë. Kaq mund të them njëherë”, ka thënë Rama për “Gazeta Blic”.