Si një njeri guximtar, i ndershëm e që dha shumë për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, është cilësuar figura e ish-kryetarit të Suharekës, Ukë Bytyqi.
Në 13-vjetorin e vrasjes së tij, atë e kanë përkujtuar familjarët, kolegët dhe qindra qytetarë që kanë marrë pjesë në akademinë përkujtimore që është mbajtur në shtëpinë e kulturës e cila mban emrin e tij.
I emocionuar e me lot ka folur djali i tij, Flamur Bytyqi.
Kryetari i tanishëm i Suharekës, Sali Asllanaj e ka kujtuar Ukë Bytyqin si një person guximtar e që ka dhënë kontribut të çmuar për shtetin e Kosovës.
E nga kolegët e tij të partisë, ka folur vetëm deputeti Anton Quni, i cili ka thënë se ai është shquar jo vetëm për përkushtimin e tij për liri, por edhe për shtetndërtim.
Quni ka shtuar se e vetmja mënyrë për të ndalur fitoret e triumfet e Ukë Bytyqit, ishte vrasja e tij.
Në këtë akademi është ndarë edhe çmimi ‘Ukë Bytyqi’ për udhëheqje dhe punë të mirë, i cili i është ndarë biznesmenit nga Suhareka, Shaqir Palushi.