Si më kishin kidnapuar njerëzit e Albin Kurtit kur isha aktivist i VV’së

  14 Dec 2017

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kursyer as metodat më radikale për ‘korrektimin’ e anëtarëve të saj.

Pas shpërthimit të konfliktit të brendshëm në këtë subjekt, deputetët Liburn Aliu dhe Xhelal Sveçla dolën në mbrojtje të krahut të Albin Kurtit, duke i fshikulluar rëndë ‘kundërshtarët’ e brendshëm në Lëvizje, si Dardan Molliqaj, Visar Ymeri dhe Aida Dërguti.

Liburn Aliu, ndjekës i verbër i Albin Kurtit dhe anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, njihet për sjelljet e tij prej kaubojsi.

Sa kohë ishte shef i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ai mbante armë zjarri në vendin e punës, por edhe në jetën e përditshme. I njëjti kishte bërë emër me rrahjen e tij me asambleistin e PDK-së, Muhamet Selmani.

Edhe Xhelal Sveçla, shok i ngushtë i Albin Kurtit dhe anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, mbante armë zjarri me vete kur ishte kryeinspektor në Komunën e Prishtinës.

Të dy këta mbështetës të Albin Kurtit në vitin 2007 ishin përfshirë në kidnapimin e ish-aktivistit të Vetëvendosjes dhe fotoreporterit Vedat Xhymshiti.

Ky i fundit, përmes një rrëfimi të personalizuar, ka përshkruar hollësisht rrëmbimin e tij nga Liburn Aliu, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi.

Xhymshiti, që kishte qenë një nga themeluesit e qendrës së Vetëvendosjes në qytetin e Gjilanit, ishte marrë në pyetje nga drejtuesit e lëvizjes, madje ishte cilësuar edhe si agjent.

Portali Konica.al sjell një fragment nga një shkrim më i gjatë i gazetarit Vedat Xhymshiti:

Unë në Lëvizjen ‘VETËVENDOSJE’, përveç se kam qenë përgjegjës për media dhe njëri prej themeluesve te qendrës së Gjilanit (së bashku me Shpend Terziun), njekohësisht merresha edhe me organizimin e qendrës. Qendra e Gjilanit ishte qendra më e fortë dhe më e organizuar në të gjithë Kosovën.

Me rastin e kalimit në Prishtinë për shkak të studimeve të mëtujeshme, kisha poashtu në përgjegjësi kujdesin ndaj gazetës katërfaqëshe ‘Vetëvendosje’ lidhur me fotografitë si dhe me realizimin e TV-reportazheve në kanalin e lëvizjes në YouTube, së bashku me disa aktivistë të tjerë të cilët poashtu nuk janë më, sepse gjatë kësaj kohe ose më pas u shpallën armiq!

Pas përpjekjeve jo të frytshme të drejtuesve tanë për të mbjellë urrejtje në mesin e aktivistëve kundër meje, ata (drejtuesit) më 1 Tetor 2007, në emër të ‘korigjimit’ më thirrën që të më takonin në një vend diku në periferi të Prishtinës (tek banesat e reja në Veternik).

Me të filluar biseda Liburn Aliu m’u kërcenua në mënyrë prepotente: ‘Shiko Vedat, po të kishim qenë në LKÇK apo UÇK ta kishim futë kokën n’b***, do të rrihnim e rrihnim derisa të kallxoje se për kë punon. Ta dish se njerëzit kanë hangër plumba për këso punë. Po ne ty po të falum meqë jemi lëvizje paqësore, se ndryshe do të flisnim me ty’.

Punën e policit dhe prokurorit e bënin edhe dy drejtuesit e tjerë Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, të cilët më mvishnin lloj-lloj akuzash, kurse sa herë ua kundërargumentoja ata ngriteshin në këmbë si të tërbuar.

Ata më akuzuan se meqë po shoqërohesha me një gazetare shqiptare, pjesëmarrëse në tri luftërat çlirimtare, po bëja spiunazh për Shërbimin francez; insinuatat e tyre konspirative më implikonin edhe në Shërbimin sekret shqiptar të Maqedonisë; se këta të fundit më kishin dhënë një çikë lekë më shumë e kësisoj kërcyen tek shërbimi sekret i Serbisë për të arritë deri tek ai amerikan sepse unë në kohën kur kisha qenë në Tiranë u pata takuar me Gafurr Adilin nga rradhët e së ashtuquajturës FBKSH.

[…] Në fund të këtij takimi, ku ma kumtuan përjashtimin nga rradhët e lëvizjes, drejtuesit m’i dhanë kërcënimet e fundit duke më thënë që të mos dukesha asnjëherë në zyret e lëvizjes sonë, të mos mbaja komunikime me aktivistët (përndryshe edhe ata do të përjashtoheshin nëse nxiheshin në një ‘vepër të tillë penale’), etj. Për ironi këta drejtues (Liburn Aliu, Xhelal Sveçla e Hysen Durmishi), që dje ishin protagonistë të një drame terrorizuese kundër meje (duke më kërcënuar në mënyrë policore), kanë figuruar në listën e Vetëvendosjes si kandidatë për deputetë, njëri prej të cilëve ka arritë madje postin e deputetit.