“Shuplaka” e Gjermanisë për Thaçin, vjen akuza e rëndë për presidentin
Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ardhur sot edhe një ‘shuplakë’ nga shteti gjerman, shtet ky i cili po kundërshton ashpër idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Dy deputetët gjermanë të Bundestagut, Peter Bauer nga CDU-ja dhe Christian Schmidt CSU-ja po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.
Ata pas takimit më kryeministrin, Ramush Haradinaj kanë ripërsëritur qëndrimin e ashpër të Gjermanisë se e kundërshtojnë idenë e presidentit, Hashim Thaçi rreth shkëmbimit të territoreve.
“Sigurisht ne biseduam edhe për proceset e ardhshme dhe për dialogun të cilin ne e mbështesim dhe mendojmë që do të zhvillohet edhe më tutje. Po ashtu kemi diskutuar edhe për temën rreth shkëmbimit të territoreve të cilën ne me të vërtetë e kundërshtojmë në çdo aspekt .
Gjermani e ka qëndrimin shumë të qartë, që jemi kundër kësaj ideje. Nuk mund t’i zgjidhim problemet që i keni përmes krijimit të problemeve të reja. Dhe ai që me të vërtetë mendon se do ta zgjedhë problemin me këtë ide, atëherë duhet të jetë shumë i vetëdijshëm se po krijon probleme të reja jo vetëm për Kosovën por për rajonin në përgjithësi”, kanë deklaruar deputetët gjermanë.
E sipas ish deputeti të LDK-së, Adem Salihaj ka thënë se Kosova do të ishte humbësja me e madhe me korrigjimin e kufirit mes dy shteteve.
“Zyrtarë të ndryshëm të administratës dhe deputetë të Bundestagut gjerman ia kanë bërë vazhdimisht Thaçit me dije se janë kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve, për arsye se i vetmi shtet që do të përfitonte do të ishte Serbia, ndërsa humbësja më e madhe do të ishte Kosova.
Me ndryshimin e kufijve me Kosovën dhe me marrjen e një cope të territorit të saj, Serbia do të hapte rrugën edhe për ndryshim kufinjesh me Bosnjën, e më vonë do të shfaqte pretendime edhe ndaj Malit të Zi”, thotë Salihaj për gazetën “Kosova Sot”.
Sipas tij, kjo do t’i hapte rrugë krijimit të Serbisë së Madhe. Më tej, Salihaj hedhë akuza të rënda ndaj Presidentit, Hashim Thaçi.
“Ky presedan do t’i hapte rrugë krijimit të Serbisë së Madhe, e cila do te ishte kërcënim i përhershëm për gjithë rajonin, por, në mënyrë të veçantë për shqiptarët.
Nga e gjithë kjo del se mbrojtëse e vendosur e Kosovës ka qenë dhe është Gjermania, ndërsa rrezikuesi kryesor i shtetësisë, si dhe tërësisë territoriale të Kosovës është vetë Thaçi.
Thaçi me zell të madh po tregohet argati më i zellshëm i krijimit të Serbisë së Madhe”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, ish deputeti, Adem Salihaj.