fbpx

Shume shpejte vendimi perfundimtar per rastin Sekiraqa

  30 Oct 2017

Gjykata e Apelit ende nuk ka dhënë vendim për masën e sigurisë ndaj Enver Sekiraqes, përkundër se të martën bëhen një javë nga seance dëgjimore në të cilën Prokuroria e EULEX’it kërkoj mbajtjen e tij në burg, derisa vetë i dënuar më 37 vite burgim për nxitje të vrasjes kërkoj falje se shkeli ndalesat e arrestit-shtëpiak, gjatë më shumë se 24 orëve në liri. Apeli konfimron se vendimi do të nxjerrët gjatë kësaj jave.

Kosovare Kelmendi, avokate e Enver Sekiraqes, thotë se është duke pritur çdo minutë që trupi gjykues i Gjykatës së Apelit i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX’it dhe një vendor, ta njoftojnë për masën e sigurisë ndaj klientit të saj të dënuar më 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.

Ajo të hënën konfirmojë për Gazetën Express se ende nuk ka vendim të ri të Apelit, dhe se nuk dëshiron të prejudikojë çfarë mund të jetë ky vendim, ani pse i njëjti trup gjykues 11 ditë më parë e la të lirë në arrest-shtëpiak Sekiraqen.

“Ne në çdo moment jemi duke e pritur vendimin e EULEX’it. Që nga java e kaluar po e presim”, tha Kelmendi përmes telefoni.

Gjykata e Apelit ka konfirmuar se vendin për Sekiraqen do ta nxjerrë gjatë kësaj jave.

“Gjykata e Apelit e ka shtyrë për këtë javë vendimin lidhur me ankesën kundër aktgjykimit dhe vendimin mbi masën e paraburgimit”, ka thënë Arbër Jashari për Express, zëdhënës në Apel.

Enver Sekiraqa më 19 të këtij muaji u lëshua në arrest-shtëpiak me një vendim të Gjykatës së Apelit. Por, i njëjti u kthye pas më shumë se 24 orësh në burgun e Dyzit, pasi shkeli disa nga ndalesat që gjykata i kishte caktuar në vendimin për ndryshim të masës së sigurisë ndaj tij.

Sekiraqa e kishte të ndaluar të takonte persona tjerë, përveç atyre me të cilët banonte, gjatë kohës sa ishte në arrest-shtëpiak. Por, pak kohë pasi u lira në rrjete sociale u shpërndanë fotografi të tij me persona tjerë jashtë familjes, të cilat u publikuan edhe në Gazetën Express.

Për këtë, të martën që shkoi, vetë Enver Sekiraqa kërkojë falje në gjykatë, duke pretenduar se nuk ishte në dijeni për ndalesat e gjykatës. Edhe avokatja e tij Kosovare Kelmendi i pranoi gjykatës se klienti i tij ka shkelur ndalesat, por tha se ajo se kishte informuar atë në kohen kur ndodhet shkeljet, pasi ende se kishte marrë vendimin e shkruar për lirim të Sekiraqes.

Nga ana tjetër, në të njëjtën seancë dëgjimore, Prokurori i EULEX’it i tha trupit gjykues të Apelit se natën kur Sekiraqa u kthye në Dyz, një i burgosur tjetër kishte dëgjuar një bisedë të Enver Sekiraqës për planet e tij për arratisje.

Derisa Enver Sekiraqa është duke e pritur vendimin e ri të Gjykatës së Apelit për masën e sigurisë ndaj tij, liri i një të dënuar me 37 vite burgim në arrest-shtëpiak është konsideruar skandaloz, dhe ka nxitur reagime të njohësve të ligjit, e për më tepër edhe të një ambasadoreje kosovare.

Vlora Çitaku, nga SHBA-ja, tha se në vitet ’90 femrat në Prishtinë kishin më shumë frikë nga “krimineli që u la i lirë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe të Kosovës”, derisa njohësit e drejtësisë konsideruan se Apeli shkeli paragrafin e dytë të Nenit 367 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kur liroi një të dënuar me 37 vjet burgim.

“Nëse gjyqtari i vetëm ose trupi gjykues shqipton dënim prej pesë (5) ose më shumë vjet burg të akuzuarit ia cakton paraburgimin, nëse ai nuk gjendet në paraburgim, ose ia vazhdon atë kur i akuzuari gjendet në paraburgim”, specifikohet në paragrafin 2 të Nenit 367 të Kodit të Procedurës Penale.

Por, për vendimin e gati para dy jave, EULEX ende nuk është deklaruar. Për më tepër ky mision ndërkombëtar sugjeron që të kërkohen shpjegime në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përkundër se vendimi është dhënë nga dy gjyqtarë të saj dhe një vendor.