Shaban Lushtaku tregon pse e kercenoj Blerim Dinen

Shaban Lushtaku është ndalur për 48 orë në Policinë e Kosovës. Ai është arrestuar të mërkurën rreth orës 18:00. Një natë më parë ishte intervistuar. Arsyeja e intervistimit: Pse kishte shkuar në banesën e shefit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dina.

Lajmin për Insajderin e ka bërë të ditur, avokati i Shaban Lushtakut, Ilir Rama, i cili konfirmoi se arrestimi i klientit të tij, është bërë për arsyen që lidhet me videon e publikuar nga Insajderi dhe pretendimet e Dinës se ai ishte ndalur në një rrugë në Prishtinë, pikërisht nga Lushtaku dhe biznesmeni Naim Sallahu.

“Klienti im ka folur vetëm para një nate, ndërsa sonte është dorëzuar në heshtje”, thotë Rama.

Avokati i Shaban Lushtakut, i ka treguar Insajderit, deklaratën që klienti i tij e ka dhënë në Polici në lidhje me rastin.

“Klienti im dhe z.Dina njihen moti, qysh para dhjetë viteve”, thotë avokati Rama.

Ai madje prezanton edhe një fotografi, në të cilën pretendon se janë së bashku, Shaban Lushtaku dhe Blerim Dina.

“Para më shumë se 7-8 viteve ata njihen. Kanë punuar së bashku në Ministrinë e Punëve të Brendshme në sektorin e IT-së”, thotë Rama.

 

Ai thotë se Shaban Lushtaku nuk shkoi në banesën e Dinës, që ta merrte me zor për të pirë kafe.

Pretendimet e Dinës janë se Shaban Lushtaku i shkoi në banesë dhe i kërkoi që më zor të dilnin për kafe dhe të takoheshin me Sami Lushtakun, kryetarin aktual të Skenderajt, i cili para dy dite, mohoi akuzat e përfshirjes në këtë ngjarje.