Sami Lushtaku i kundërpërgjigjet Blerim Dinës!

Një orë pasi shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Blerim Dina, tha se është ndalur dhe kërcënuar në rrugë nga biznesmeni, Naim Sallahu, pronar i kompanisë “Sallahu” dhe Shaban Lushtaku, për të cilin tha se është kushëri i Sami Lushtakut, ka reaguar edhe vet kryetari aktual i Skenderajt.

Sami Lushtaku tha se nuk është e vërtetë që ai ka qenë i përfshirë në këtë kërcënim që Dina thotë se ia bënë Sallahu dhe kushëriri i tij, Shaban Lushtaku.

“Kjo është e ulët. Nuk e di sesi mund të akuzohet dikush për këso gjërash. Kjo është si me ta hedhë një bombë midis shtëpie”.

Pretendimit të Dinës, se ka folur me Lushtakun, gjatë kohës kur Sallahu dhe Shaban Lushtaku e kishin ndalur në një rrugicë të kryeqytetit, e ka mohuar Lushtaku.

“Mua më thërrasin 300 deri ne 400 veta në ditë. Nuk është e vërtetë që kam folur me Dinën në telefon, madje as që e njoh”, ka thënë Lushtaku.

Lushtaku tha se nuk e ka idenë as për “tenderin 21 milionësh” të cilin e ka fituar kompania “Sallahu” pronari i së cilës, Naim Sallahu, Dina pretendon se e ndali në rrugë dhe e kërcënoi.

“Unë nuk e njoh as këtë Sallahun e as Dinën. Nuk po e kuptoj se nga kanë ardhur këto pretendime të Dinës, megjithatë e konsideroj të ultë këtë akuzë”.

E Dina tha  se e di edhe arsyen e këtij kërcënimi që sipas tij ka ardhur nga Sallahu dhe Lushtaku.

“Është një ankesë në OSHP e bërë nga disa kompani kundrejt një tenderi 21 milonësh në Ministrinë e Infrastrukturës që e ka fituar kompania ‘Sallahu’ pronë e Naimit, njërit prej personave që më kanë ndalur në rrugë”, ka thënë Dina.