Bekim Jashari fitoi pa balotazh zgjedhjet lokale në Komunën e Skenderajt të dielën, kur arriti të siguronte 13 mijë e 681 vota. Ai do të udhëheq me komunën në katër vitet e ardhshme.
Jashari doli i pari me shumicë votash, duke arritur 85 për qind të votave në Skenderaj.
Në këtë komunë, Jashari kandidoi si i pavarur, por u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Partia e Kadri Veselit nuk kandidoi në Skenderaj.
Para katër vitesh, në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kandidati i PDK-së Sami Lushtaku kishte fituar më shumë vota sesa Bekim Jashari të dielën.
Lushtaku – i cili ka shërbyer për 17 vjet si kryetar i Skenderajt – kishte siguruar 15 mijë e 653 vota në zgjedhjet e para katër viteve.
Diferenca e votave mes Lushtakut në vitin 2013 dhe Jasharit në vitin 2017 është rreth 2 mijë vota në të mirë të ish-kryetarit të Skenderajt nga PDK.