Sadri Ramabaja ishte i kercenuar me vdekje,prandaj provoi te ik nga Kosova

Ish-anëtari i PDK’së e NISMA’s e tash i VV’së, Xhevat Bislimi thotë se ende nuk e di se si Sadri Ramabaja ia mori dokumentet për të ikur nga Kosova. Ai ka lëshuar akuza në drejtim të Prokurorisë, Policisë dhe AKI’së. Ka thënë se agjentë të AKI’së i kishin thënë Ramabajës të lëshonte Kosovën pasi rrezikohej të vritej.
Zyrtari i Vetëvendosjes Sadri Ramabaja, kishte marrë thirrje që të paraqitet të hënën më 9 tetor në Prokurorinë Speciale, si i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e përfaqësuesve të lartë’. Dy ditë para se të paraqitej në Prokurori, Ramabaja kishte marrë vendim të ikte nga vendi. Ai u kap nga Policia e Durrësit, derisa po provonte që me pasaportë e Xhevat Bislimit ta kalonte kufirin.

Gazeta Express ka kontaktuar Bislimin menjëherë pasi u bë e ditur se Ramabaja posedonte pasaportën e tij, por Bislimi ka thënë se nuk e di si bashkëpartiaku i mori dokumentin personal.

Të premten, Bislimi i ka thënë Gazetës Express, se akoma nuk ka marrë ndonjë ftesë për t’u intervistuar dhe s’ka për çka, ndërsa për tentim-ikjen e Ramabajës me dokumente të tij, thotë se është diçka krejt normale.

“As nuk është zënë me drogë, as me kontrabandë e as me armë. Ky shtet, 100 mijë shqiptarë i ka çit kah Hungaria ilegalisht, edhe kush hala s’u akuzu. E, për Sadri Ramabajën qenka bërë nami”, ka thënë Bislimi.

Ai shton se po pret nga Policia shqiptare që t’ia kthejnë dokumentet, të cilat ‘ia vodhi’ Ramabaja, sepse ai vazhdon të thotë se nuk e di se si ia mori.

“S’ka rëndësi qysh i ka marrë. U kry mo ajo punë”, thotë më Bislimi, për të cilin kapja e zyrtarit të VV’së më dokumente të huaja nuk asgjë tjetër pos që diçka normale.

“Akoma s’e di qysh m’i ka marrë dokumentet se unë hala s’e kom pa Sadrinë për me e marrë vesh çka është bo, si ndodhi”, ka thënë ai.

“Prokuroria s’ka punë me mua, s’kanë pse me më thirr. S’e kam prish as një kishë, as një xhami. Kurrgjë s’kam bo”, ka shtuar Bislimi.

Prokurori Sylë Hoxha ka thënë se Prokuroria akoma s’e ka intervistuar Xhevat Bislimin, por pohon se edhe intervistimi i tij është pjesë e procedurës.

“E kemi në procedurë, ende se kemi intervistuar. Në kuadër të rastit që po e trajtojmë, ndoshta do të ketë vend edhe për atë. Po them ndoshta”, ka thënë Prokurori për Gazetën Express.

Ndërsa, Bislimi thotë se në vend që ai të merret në pyetje nga organet e drejtësisë, sipas tij, duhet ato të pyetet se si janë bërë vegël e pushtetit.

Zyrtari i Vetëvendosjes çon akuza të rënda drejt Policisë, Prokurorisë, dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“Duhet të pyetet Prokuroria pse i ka çu ftesë për intervistim Sadri Ramabajës, Policia duhet të pyetet pse i ka bërë presion, AKI-ja të pyetet pse i kanë çu Sadrisë njerëz për me i thanë ik se kanë me të vra”, ka përfunduar Bislimi.

Ndryshe, Bislimi të shtunën e kaluar kishte thënë se më parë ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale për dyshimet se është përfshirë me organizatën terroriste “Syri i Popullit”, por thotë se kjo organizatë është sajuar nga pushtetarët për të implikuar kundërshtarët e tyre politikë.

“Po kjo është e vërtetë, kam ba edhe shkrim para një muaji është edhe e botume kom sqaru cdo gjë. Kjo është një organizatë e sajume realisht prej vetë pushtetarëve dhe vetë këtyre që e kan kap shtetin. Ajo organizata ska të bëjë as me mu as me Sadri Ramabajën”, ka thënë ai.

Rasti për të cilin dyshohet Ramabaja dhe Bislimi ka të bëjë me plagosjen e ish-anëtarit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi, i cili tash është avokat. Plagosja e tij kishte ndodhur më 13 mars të këtij viti. I dyshuari kryesor për tentim vrasjen e Vllasit është Murat Jashari, një shqiptar, që jetonte në Zvicër.

Prokuroria e ka vendosur në listën e të dyshuarve Ramabajën pasi Murat Jashari kishte pasur takim me Ramabajën pak kohë para se ta plagoste Vllasin.

Madje, i dyshuari Jashari, i cili kishte themeluar një organizatë me emrin “Syri i Popullit” kishte thënë se ekziston një listë me emrat e atyre që do të likuidoheshin. Në atë listë ishin liderët aktualë e deri te ish-udhëheqësit komunistë. Ishte emri i Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Kadri Veselit e zyrtarëve të tjerë të Shtetit.