Rexhep Selimi paralajmron Ramush Haradinajn!

Kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën e NATO-s të mbajtur në Prishtinë këtë javë, ka folur rreth anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Sipas tij, Kosova mund ta përmbyllë këtë proces në vitin 2020 meqë është duke u punuar shumë në formimin e Ushtrisë. Këtë deklaratë të kryeministrit, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi e ka quajtur si “shumë optimiste”.

Në një prononcim për “Indeksonline”, anëtari i Komisionit për FSK ka thënë se pa u larguar ndikimi i Serbisë përmes Listës Serbe në shtetbërjen e Kosovës, nuk mund të flitet për afate.

“Aspiratat e kryeministrit për 2020-ën mua po më duken shumë optimiste. Por po harrojmë se jemi në fund të 2017-ës dhe deri në 2020-ën kanë mbetur pak më shumë se dy vjet, por është me rëndësi që ne të jemi në atë kahje. Unë nuk po flas për afate, por për kahje. Kur te kemi kahjen e përcaktuar, mund të flasim për afate. Por, për këtë nuk mund të flasim pa e hequr pengesën e shtetbërjes që vjen nga Serbia në Kosovë”, ka thënë ai.

Sa i përket plotësimit të standardeve, deputeti ka thënë se Kosova sikurse vendet e rajonit, do të mund t`i plotësonte ato dhe të anëtarësohej në NATO. Por, Selimi është shprehur se Qeveria e Kosovës duhet të tregohet e vetëdijshme se e ka si pengesë serioze rolin e Listës Serbe.

“Për atë çfarë ofron Kosova dhe Ushtria e saj, ne do të mund t`i plotësonim të gjitha kriteret për të qenë anëtar i NATO-s, edhe në fushën gjeostrategjike po ashtu. Por, deri në anëtarësim në NATO, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vetëdijshme që e ka një pengesë shumë serioze, e kjo është Lista Serbe si marionetë e Qeverisë serbe në Kosovë. Sigurisht se duhen plotësim i kritereve dhe kushteve për të qenë anëtar i NATO-s, por edhe Kosova do të mund ta bënte sikurse e ka bërë Shqipëria, Mali i Zi. Kështu që, po mbetet që Qeveria e Kosovës ta largojë ndikimin determinues të Serbisë përmes Listës Serbe në Qeveri dhe në Parlament”, ka thënë tutje ai për “Indeksonline”.

Ai ka shtuar se ndonëse Kosova është partnere e NATO-s dhe FSK-ja partner i KFOR-it, si shkak i Listës Serbe po vazhdon të mungojë anëtarësimi formal.