Reagon Agim Bahtiri pas dënimit të aktivistëve të VV-së

  18 Nov 2017

Pas dënimit të katër aktivistëve të VV-së me 21 vite burgim, ka reaguar edhe Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se ky është dënim politik.
Bahtiri thotë se beson që Gjykata e Apelit do të vërtetoj pafajësinë e aktivistëve të VV-së, derisa ka treguar se ky sistem i drejtësisë asnjëherë nuk i ka zbuluar autorët e sulmit me armë automatike ndaj komunës së Mitrovicës.

Ja postimi i plotë i Agim Bahtirit në Facebook:Dënimi i katër aktivistëve të VETËVENDOSJES me 21 vite burgim, përfshirë edhe deputetin e votuar nga populli, Frashër Krasniqi, tregon se sa i brishtë është shteti ynë, e veçanërisht sistemi i drejtësisë, të cilit nuk i mjaftoj as përgjigja nga FBI se nuk ka prova që i inkriminon të akuzuarit.Po ashtu shteti ynë dhe ky sistem i drejtësisë, tregon se ka qasje selektive dhe politike. Dëshmia më e mirë për këtë është se kurrë nuk u zbuluan dhe rrjedhimisht as kurrë nuk u dënuan autorët e sulmit ndaj objektit të komunës së Mitrovicës të kryer me armë automatike në mëngjesin e 2 qershorit të vitit 2016, vetëm disa orë para përurimit të fabrikës së kërpudhave “Hirano Mushroom”.

E kam thënë dhe po e them prapë, se kërcënimet, sulmet dhe shantazhet e grupeve kriminale dhe mafioze asnjëherë nuk më kanë frikësuar e as që do të më frikësojnë mua, e askënd që është në rrugën e drejt.Besoj se Gjykata e Apelit do ta vendos drejtësinë në vend, duke e dëshmuar pafajësinë e këtyre aktivistëve të VV-së.