Deputeti i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka reaguar ndaj Qeverisë Haradinaj sipas tij për mos kujdesin e duhur të kësaj qeverie karshi komunitetit rom të cilët më së shumti janë prekur nga sëmundja e fruthit, raporton Gazeta Blic.
Krasniqi ka thënë se është e padrejtë që në vitin 2017 në Republikën tonë njerëzit të vdesin nga një sëmundje e cila mund të parandalohet dhe të kontrollohet.
“Nuk mund të flasim asnjëherë për mirëqenie e zhvillim, sa të kemi qytetarë që jetojnë në kushte të tilla dhe që diskriminohen për shkak të përkatësisë etnike”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Postimi i plotë i Frashër Krasniqit:
Qytetarë nga komuniteti rom po vdesin nga fruthi! Pra merreni me mend: në vitin 2017 në Republikën tonë, njerëzit vdesin nga një sëmundje lehtësisht e parandalueshme dhe e kontrollueshme. Edhe së paku 100 qytetarë të komunitetit rom janë duke u përballur me këtë epidemi dhe janë në rrezik.
Pak ka qytetarë të Kosovës që jetojnë në kushte më të rënda se sa komuniteti rom. Indiferenca e vazhdueshme e shtetit ndaj këtij komuniteti flet për qasjen diskriminuese të partive të djathta që kanë qeverisur me Kosovën tash e 17 vite.
Nuk mund të flasim asnjëherë për mirëqenie e zhvillim, sa të kemi qytetarë që jetojnë në kushte të tilla dhe që diskriminohen për shkak të përkatësisë etnike.