Ramush Haradinaj “ndeshkon“ edhe Shpejtim Bulliqin!
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj mund ta shkarkoj edhe kryetarin e ri të Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, njëjtë siç kishte vepruar me kryetarin e mëhershëm, Murat Meha.
Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Bulliqi nuk arrin që të ofroj fakte të reja se versioni për shënjimin e vijës kufitare me shtetin malazias ka qenë gabim.
Kështu ka thënë për Gazetën Blic një zyrtar i lartë brenda Qeverisë së Kosovës.
Sipas këtij burimi, “pasi ta përfundoj punën komisioni, Shpejtim Bulliqi do të raportoj dhe nëse nuk ka ndonjë fakt të ri që Kosova po humb territor, atëherë kryeministri Haradinaj do ta shkarkojë komisionin. Gjithnje po flasim nëse nuk ka prova të reja”, tha ky burim i Gazetës Blic.
Bulliqi pritet që të përballet edhe me deputetët.
Siç ka mësuar Gazeta Blic nga një deputet, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, që ka dashur të mbetet anonim, Bulliqi do të raportoj brenda pak ditësh edhe para këtij komisioni.
Bulliqit do t’i kërkohet një raport për rezultatet që ka arritur të nxjerrë së bashku me kolegët e tij.
“Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane janë dakorduar që më 6 nëntor ta ftojnë Shpejtim Bulliqin të vie në komision, dhe të ketë një shkëmbim të informacioneve me të në lidhje me çështjen e demarkacionit, sepse demarkacioni tash është bërë pjesë e agjendës evropiane”, ka thënë ky burim.
Ndërkaq, zyrtarisht as nga Qeveria e as vetë Komisioni i ri për demarkacionin me Malin e Zi, nuk kanë dashur të komentojnë në lidhje me këtë proces.
Në anën tjetër, ishte vetë Bulliqi në një deklaratë që kishte dhënë për media, kishte theksuar se kanë gjetur fakte të reja për demarkacionin me Malin e Zi.
Bulliqi para se të emërohej në këtë komision, ishte kategorik se shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi, ishte bërë gabim.
Edhe anëtari tjetër, Florim Isufi, ka thënë se ky komision është duke punuar intensivisht.
“Ne jemi duke punuar me intensitet shumë të lartë dhe ka jashtëzakonisht shumë elemente të reja, të cilat ne i kemi ditur më herët në aspektin profesional, por në aspektin e dëshmive zyrtare nuk kemi mundur të kemi dosje”, ka deklaruar ai.
“Ne nuk e kemi marrë këtë detyrë për ta rrezikuar integritetin tonë personal për të mos punuar, puna është aq intensive, gjithë ajo punë që mund të gjendet e që nuk ka qenë deri më tani nga asnjëri prej komisioneve, duke përfshirë këtu të gjithë komisionet e mëhershme, edhe neve si intelektualë të pavarur”, është shprehur ai.
Ndërkohë, SHBA-të kanë shtuar presionin që sa më parë të miratohet demarkacioni me Malin e Zi.
Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe t’i hapë rrugën përfitimeve që do të kishin qytetarët duke lëvizur pa viza në Evropë.
Tash e sa kohë, Demarkacion Kosovës i është vënë kush për liberalizimin e vizave. Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, konsideron se me këtë komision i përbërë prej Shpejtim Bulliqit dhe Florum Isufit do të gjejnë vijën e saktë të kufirit me Malin e Zi.