Ramush Haradinaj me premtime te medha
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se ndryshimin që e ka nisur përmes Qeverisë, do ta sjellë edhe nëpër komunat e Kosovës.
Në tubimin qendror të mbajtur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Haradinaj është shprehur i bindur se në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, AAK do të dyfishojë votën.
Duke prezantuar kandidatët për kryetar të komunave nga radhët e AAK-së, Haradinaj është shprehur se, për dallim me ata të partive tjera, ata e ndjejnë vendin e tyre. Kreu i AAK-së gjithashtu ka premtuar se me qeverisjen e tij, do ta arrijë shumë shpejtë atë që është pritur me vite.
“Nëse qytetari ynë e forcon Aleancën me ne, më 22 tetor kanë me ndje ndryshimin. Ne po shkojmë drejtë dyfishimit të votës, dhe për këtë nuk kom me ju zhgënjy”.
“Kandidatët për komuna e ndjejnë këtë vend, vlerë e paktë kjo në partitë tjera. Ne do t’i arrijmë shumë shpejtë ato që tjerët me vite nuk i kanë bërë; anëtarësimi i Kosovës në NATO, zbatimin e MSA-s, liberalizimi ka me ardhë në kohë rekord, do të marrim statusin e kandidatit, dialogu bëhet për popullin”, është shprehur Haradinaj.
Ndërsa kandidati për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, u ka kërkuar kryeqytetasve që të bashkohen me AAK-në, për ta sjellë, siç është shprehur, ndryshimin që i ka munguar Prishtinës për 18 vjet.
“E kemi nis me ndryshimin vendit, me ja kthy qytetarit dinjitetin. Ashtu siç do të ndryshojë Kosova, ka me ndryshu edhe Prishtina dhe komunat e tjera. Bashkohuni me ne që t’i kryejmë punët që të tjerët nuk i kane bërë qe 18 vjet”.
Ai ka premtuar se qytetarëve të Prishtinës do t’i ofrojë jetë më të mirë përmirësuar infrastrukturën dhe zhvilluar vendin.
“Ne po vijmë që t’i ofrojmë qytetarit qeverisje ndryshe dhe zhvillim ekonomik, zgjidhje të problemeve të infrastrukturës, siguri, ne po vijmë të qeverisim me plan… Është e turpshme që lagjet e Prishtinës janë shndërruar në oaza mbeturinash. Prishtinës do t’i bëhet profil ndërkombëtar, beteja jonë është kthimi i shpresës për qytetarët, ne jemi shpresa për ta”, ka thënë Vllahiu.
Haradinaj ndërkohë ka prezantuar kandidatët për të gjitha komunat ku kjo parti është futur në garë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.