Pse po heshtin Thaçi e Veseli për dënimin e Grupit të Kumanovës?
Dënimi me 746 vjet burg nga ana e Gjykatës në Shkup ndaj 37 personave të akuzuar për vepër terroriste në pjesëmarrjen e konfliktit të armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ka nxitur një reagim të ashpër publik në Kosovë dhe në përgjithësi në trojet shqiptare.
Kjo për faktin se nga 37 të dënuar, 20 pjesëtarë janë qytetarë të Republikës së Kosovës. Kurse, të dënuarit e tjerë janë qytetarë shqiptarë të Maqedonisë.
Nga 37 pjesëtarët e dënuar, shtatë të akuzuar janë dënuar me burg të përjetshëm, 13 me nga 40 vjet burg, kurse të tjerët me nga 20 vjet, 18 dhe 12 vjet.
Por, pavarësisht këtyre dënimeve të ashpra nga ana e “drejtësisë” maqedonase, institucionet kryesore të Kosovës nuk kanë bërë ndonjë notë proteste ndaj shtetit maqedonas.
I vetmi reagim që ka ardhur dje me vonesë nga ana e shtetit të Kosovës, është ai i kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar një hetim ndërkombëtar lidhur me këtë rast.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj përmes një deklarate ka sqaruar publikun se ka përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Prandaj, drejtësia duhet të vihet në vend duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës së Kryeministrit dhënë për “Bota sot”.
Po ashtu, sipas Qeverisë ministri i jashtëm, Behxhet Pacolli ka ftuar në konsulta ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa.
“Me këtë rast, ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thirr në konsulta të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, ndërkohë që për të njëjtën çështje e ka thirrë për sqarim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Kosovë”, thuhet më tej në përgjigjen me shkrim të qeverisë.
Gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje me shkrim edhe tek presidenca për të pyetur se pse ky institucion nuk e ka bërë asnjë reagim lidhur me rastin Kumanova, por ata nuk janë përgjigjur.
Përgjigje për gazetën “Bota sot”, nuk ka dhënë as Institucioni i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Salihu: Heshtja e institucioneve të Kosovës tregon se ato pajtohen me këto dënime
Nga ana tjetër, analistët politik shprehen kritikë ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës për mos reagim të ashpër ndaj shtetit të Maqedonisë.
“Heshtja, por qoftë edhe ndonjë deklaratë simbolike për dënimin jashtëzakonisht të lartë të Grupit të Kumanovës, është argument i mjaftueshëm se qeveria e Prishtinës dhe ajo e Tiranës pajtohet me këtë dënim të dhembshëm”, ka thënë për “Bota sot” publicisti nga Kumanova, Iljasa Salihu.
Sipas tij, nuk është hera e parë për sjellje të tillë të Kosovës dhe Shqipërisë, në raport me shqiptarët e Maqedoninë.
“Sa herë që kanë ndodhur raste të ngjashme në Maqedoni, Prishtina dhe Tirana kanë qenë në një vijë me pushtetin. Përmes këtyre qëndrimeve servile, Shkupit zyrtar i është bërë me dije se Tiranës dhe Prishtinës u mjaftojnë problemet dhe punët e veta. Po ashtu, i është bërë me dije se vëllazëria shqiptare andej dhe këndej kufijve të dhunshëm, thjeshtë është një folklor i bukur në rast të ndonjë përvjetori. Jo rastësisht, gjëma ndaj shqiptarëve të Maqedonisë nuk ndalet. S’ka kush ia ngre veshin veshgjatëve të këtushëm”, ka thënë më tej Salihu.
Salihu është shprehur kritik edhe ndaj partive shqiptare në Maqedoni.
“Partitë shqiptare po mjaftohen me deklarata të thata, pra i bëjnë thirrje faktorit ndërkombëtar të merren me rastin në fjalë. Kanë pranuar rolin e të pafuqishmit. Ajo në pushtet kënaqet me disa ashkla të pushtetit, kurse këto në opozitë lumturohen me disa fjalë të thurura bukur”, ka shtuar Salihu.
Kelmendi: Thaçi, Veseli e Haradinaj në gjumë
Edhe analisti Jeton Kelmendi është shprehur kritik me institucionet e Kosovës.
“Pse Prishtina nuk po reagon për këtë rast, është se sigurisht ajo po tregon një pazotësi, një dyshim të madh në nxirjen eventuale të Kumanovës”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.
Sipas tij, Thaçi e Haradinaj nuk kanë guxim qytetar për të reaguar lidhur me rastin e këtij gjykimi.
“Problemi qëndron se duhet të zbulohet e vërteta. Akoma nuk është kuptuar mirë se kush e ka organizuar konfliktin e Kumanovës. Institucionet tona janë qyqare. Tre krerët e shtetit Thaçi, Haradinaj dhe Veseli po bien në gjumë dhe nuk e kanë guximin as qytetar e as politik për të reaguar konform të vërtetës dhe situatës së krijuar”, ka shtuar Kelmendi.
Gashi: Rasti krejt politik
Kurse, avokati i njohur në Kosovë, Tomë Gashi shprehet kritik me institucionet gjyqësore në Maqedoni.
“Në këtë rast kanë dështuar të gjitha mekanizmat e drejtësisë në Republikën e Maqedonisë, atje thjeshtë kjo çështje është gjykuar me epilog të paracaktuar dhe është ditur përafërsisht që mund të ndodhë kështu, siç ka ndodhur”, ka thënë Gashi për “Bota sot”.
Ai ka theksuar se ky rast është krejt politik.
“Rasti është krejtësisht i natyrës politike për aq sa unë di për këtë rast, jo që nuk ka ndodhur asgjë në ”luftën’ dyditore të Kumanovës, por për shkak se janë gjykuar vetëm shqiptarët dhe askush nga pala maqedonase, po ndoshta ka pas tejkalim të autorizimeve, ndoshta dikush është vrarë nga shqiptarët krejtësisht i pafajshëm dhe lindin shumë dilema në këtë rast. Për këtë arsye, është dashur të kërkohet ndihma ndërkombëtare dhe monitorimi ndërkombëtar i këtij rasti penal”, ka thënë ai.
Gashi ka shtuar se e vetmia shpresë mbetet një trysni nga ndërkombëtarët në mënyrë që rasti mos të mbyllet, ashtu siç është gjykuar dje.
KMLDNJ: Në gjykim nuk janë zbatuar konventat ndërkombëtare
Nga ana tjetër, drejtori i Këshillimit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, ka thënë se në këtë gjykim nuk janë përdorur konventat ndërkombëtare.
“Për ne këto dënime janë drakonike. Ne mendojmë se ky proces është dashur të konsiderohet shumë në mënyrë më aktive dhe duke i trajtuar konventat ndërkombëtare. Po ashtu ne mendojmë se duhet të zbulohet pse ka ndodhur ky aksident në çfarë rrethanash ka ndodhur”, ka thënë Shala për “Bota sot”.
Ai ka thënë se raste të tilla të gjykimeve të rënda ndaj shqiptarëve janë aplikuar edhe më herët.
“Ka raste edhe tjera ndaj shqiptarëve që janë të montuara e pastaj janë dënuar me dënime maksimale, siç është rasti “Monstra”, “Sopoti”, e tjera”, është shprehur Shala.
Shala ka shtuar se familjarët e të burgosurve kanë pasur ankesa se të dënuarit, janë torturuar fizikisht dhe psiqikisht gjatë kohës së paraburgimit.
Ndryshe, në përleshjen e armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, me 9 maj të vitit 2015, u vranë 10 persona të armatosur dhe 8 pjesëtarë të policisë së Maqedonisë.
Në mesin e të vrarëve ishte edhe Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj që dyshohet se ata u pushkatuan pasi u dorëzuan tek policia maqedonase.